Konflikti ligjor midis yllit francez të futbollit, Kylian Mbappe, dhe senatores paraguaiane, Celeste Amarilla, mori një kthesë të papritur pas eliminimit të Paraguait nga Kupa e Botës.
E gjitha filloi kur senatorja i dërgoi ofendime të ashpra sulmuesit në rrjetet sociale, gjë që çoi në një hetim në Francë kundër saj për nxitje të urrejtjes dhe racizmit.
Futbollisti i Real Madridit nuk i kishte borxh, kështu që i quajti komentet e saj të përbuzshme dhe të padenja për pozicionin që ajo mban.
Megjithatë, mbrojtja e zyrtares paraguaiane pretendon se ajo nuk mund të përgjigjet para gjykatave evropiane dhe tashmë po njofton një kundërsulm radikal.
Lidhur me këtë situatë, avokati i saj, Guillermo Duarte, bëri një deklaratë zyrtare për mediat.
“Celeste nuk ka kryer asnjë vepër penale në Paraguai. Meqenëse ajo që ne e konsiderojmë shpifje ose fyerje është gjithashtu një vepër penale në Francë, ne mund të fillojmë procedurat ligjore kundër Mbappe. Ai mund të ekstradohet për t’u përgjigjur për veprimet e tij në Paraguai”, tha Duarte.
Ekipi ligjor i senatores e bazon strategjinë e tij në faktin se krimi për të cilin francezët e akuzojnë atë nuk është i dënueshëm në Paraguai, gjë që minon parimin e nevojshëm për ekstradimin e saj.
Nga ana tjetër, Duarte këmbëngul se deklaratat e Mbappes shkaktuan dëme në Paraguai, gjë që i hap derën gjyqësorit atje që ta kërkojë vetë futbollistin.
Ndërsa publiku dhe qeveria e Paraguait dënojnë veprimet e senatores së tyre, bota e futbollit po e shikon me mosbesim dramën në të cilën sulmuesi francez mund të përfundojë duke marrë një kërkesë për ekstradim.








