Ministri në detyrë i Infrastrukturës, Dimal Basha, ka bërë të ditur se ka vendosur kufizime të përkohshme të qarkullimit për automjetet e transportit të mallrave në masë mbi 20 tonë.
“Sot kam marrë VENDIM për vendosjen e kufizimeve të përkohshme të qarkullimit për automjetet e transportit të mallrave me masë totale mbi 20 tonë, me qëllim të mbrojtjes së infrastrukturës rrugore gjatë temperaturave të larta dhe rritjes së sigurisë në komunikacion”, ka thënë Basha, shkruan Insajderi.
Sipas Bashës, në autoudhë kufizimi për këto mjete do të zbatohet kur temperature maksimale shkon në 32 gradë ose më e lartë, gjatë intervalit 11:00-17:30.
Ndërkaq, në rrugë nacionale, rajonale dhe lidhëse, kufizimi do të zbatohet në ditët kur temperature maksimale parashikohet të jetë 35 gradë Celsius ose më e lartë. Kjo, gjatë intervalit 11:00-17:30.
Basha ka bërë të ditur se Ministria e Infrastukturës do të publikojë çdo ditë pas orës 16:00 njoftimin për zbatimin ose moszbatimin e kufizimeve, bazuar në parashikimin e IHMK’së.
“Ky vendim synon mbrojtjen e rrugëve nga dëmtimet që shkaktohen nga temperaturat e larta dhe ngarkesat e rënda, duke garantuar njëkohësisht siguri më të madhe për të gjithë pjesëmarrësit në trafik”, përmbyll njoftimin Basha.








