Xhaka shpërthen në lot pas historisë së Zvicrës: Tani vjen qëllimi numër pesë

Granit Xhaka nuk i ka mbajtur lotët pas kualifikimit historik të Zvicrës në çerekfinale të Kupës së Botës. Pas penalltisë vendimtare të Ruben Vargas ndaj Kolumbisë, që i siguroi “helvetikëve” kalimin tutje, kapiteni zviceran u rrëzua në tokë duke qarë, duke përjetuar një nga momentet më të veçanta të karrierës së tij.

Teksa tifozët zviceranë festonin kualifikimin, Xhaka nuk iu bashkua menjëherë shokëve të skuadrës, por ndaloi për një moment për ta përjetuar i vetëm emocionin e madh.

“Për mua ishte një lehtësim i pastër. Njerëzit që më njohin e dinë se gjithmonë i bëj shumë presion vetes”, ka shpjeguar Xhaka pas ndeshjes.

“Vetëm doja të shijoja pak momentin. Nuk e kuptoni menjëherë se çka ndodhi. Ishte thjesht e pabesueshme dhe diçka për të cilën ne si lojtarë, staf, anëtarë të familjeve dhe i gjithë vendi mund të jemi krenarë”, ka shtuar kapiteni i Zvicrës.

Megjithatë, për Xhakën ky sukses nuk është fundi i rrugëtimit. Mesfushori shqiptar me pasaportë zvicerane ka bërë të qartë se synimet e ekipit janë rritur pas arritjes historike.

“Qëllimi ynë numër një ishte të paraqitemi në Kupën e Botës. Qëllimi numër dy ishte të kalonim fazën e grupeve dhe qëllimi i tretë të avanconim në raundin tjetër. Ne arritëm qëllimin e katërt tani dhe bëmë histori në këtë proces. Tani vjen qëllimi numër pesë”, ka theksuar Xhaka.

Për ta shkruar historinë edhe më tej dhe për të siguruar paraqitjen e parë të Zvicrës në gjysmëfinale të një turneu të madh, skuadra e Murat Yakin duhet të përballet me një kundërshtar gjigant – Argjentinën, kampionen në fuqi të botës, me Lionel Messin në përbërje.

Duke folur për përballjen me yllin argjentinas, Xhaka ka vlerësuar epokën e madhe të futbollit që ka sjellë Messi dhe Cristiano Ronaldo.


“Është privilegj i madh të jesh në gjendje të luash në epokën e Lionel Messit dhe Cristiano Ronaldos. Ata janë dy nga lojtarët më të mëdhenj në histori”, ka thënë ai, duke shmangur përfshirjen në debatin se cili prej tyre është më i miri.

Përballja ndaj Argjentinës ka edhe një histori të veçantë për Xhakën. Ai dhe Ricardo Rodriguez janë dy lojtarët e vetëm të Zvicrës që ishin në fushë në humbjen e fundit ndaj “Albicelesteve” në Kupën e Botës, në vitin 2014.

Atëherë, Zvicra u eliminua në 1/8 e finales pas golit të Angel Di Marias në minutën e 118-të të vazhdimeve.

“Viti 2014 na lëndoi, pothuajse i mundëm argjentinasit”, kujton Xhaka.

Tashmë, pas 12 vitesh, Zvicra ka mundësinë për revansh ndaj Argjentinës dhe për një tjetër kapitull historik në Kupën e Botës.

Përzgjedhësi Murat Yakin ka vlerësuar lart rolin e Xhakës në këtë rrugëtim, duke e cilësuar atë një lider të padiskutueshëm.

“Ai gjithnjë ka motivuar ekipin me fjalët e tij. Ai është një kapiten absolut, që ka arritur këtë me ne. Ai ka vuajtur dhe ka luftuar. Për mënyrën se si është, nuk e dimë nëse ky është Botërori i tij i fundit”, ka deklaruar Yakin.

/GazetaKosova/

- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - spot_imgspot_img

Te Veqanta

Social Media

- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING - Vipa Chipsspot_img

Lajmet e Fundit