I dënuari në rastin e njohur si “Kobra”, Roland Susuri, është ekstraduar të martën nga Hungaria në Kosovë, pasi ishte arrestuar nga autoritetet hungareze në bazë të një letërarresti ndërkombëtar.
Susuri, i cili ishte dënuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë me shtatë vjet burgim për manipulim me prova, armëmbajtje pa leje dhe pjesëmarrje në rrahje, u ndalua në kufi teksa po tentonte të kthehej në Kosovë.
Gazeta ka mësuar se Susuri u arrestua nga policia në momentin kur po tentonte të hynte në territorin e Kosovës.
Avokati i tij, Ruhan Salihu, tha për Insajderin se klienti i tij kishte qenë duke u kthyer në Kosovë për t’u dorëzuar para organeve të drejtësisë.
“Ka pasur urdhërarrest. Në Hungari e kanë ndaluar. Ka qenë për një vizitë në Hungari dhe ishte duke u kthyer në Kosovë për t’u dorëzuar te organet e drejtësisë. Në kufi e kanë ndaluar dhe më pas kanë vazhduar procedurat e ekstradimit”, tha Salihu.
Mbrëmjen e së martës, Policia e Kosovës njoftoi për ekstradimin e Susurit nga Hungaria, pasi ai ishte arrestuar në bazë të një letërarresti ndërkombëtar të lëshuar përmes INTERPOL-it.
“Ekstradohet nga Hungaria për në Kosovë i kërkuari me letërarrest ndërkombëtar. Policia e Kosovës, përkatësisht Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, në koordinim me njësitë relevante të Policisë së Kosovës dhe institucionet e drejtësisë, më 07.07.2026 ka realizuar ekstradimin e shtetasit kosovar nga Hungaria në Kosovë”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Sipas Policisë së Kosovës, Susuri ishte arrestuar nga autoritetet hungareze pasi kërkohej me letërarrest ndërkombëtar të lëshuar nga institucionet e drejtësisë së Kosovës për veprat penale “Armëmbajtje pa leje” dhe “Fshehje e provave”.
Policia bëri të ditur se Susuri i ishte shmangur drejtësisë para arrestimit të tij në Hungari.
Ai ishte dënuar me katër vjet e gjysmë burgim për manipulim me prova, një vit e gjysmë për pjesëmarrje në rrahje dhe një vit e gjysmë për armëmbajtje pa leje. Gjykata i kishte shqiptuar një dënim unik prej shtatë vjetësh burgim.
Në lidhje me ngjarjen e ndodhur në lokalin “Cobra City” në janar të vitit 2023, Dibran Hoxha është dënuar me 24 vjet burgim.








