Një kompani me seli edhe në Prishtinë është përfshirë në një hetim të SPAK-ut në Shqipëri, nën dyshimet për pastrim parash dhe lidhje me një skemë kriminale.
Bëhet fjalë për kompaninë “Kryon.83”, me veprimtari në sektorin e ndërtimit, e cila sipas hetimeve dyshohet se është përdorur në një transaksion prej rreth 600 mijë eurosh për blerjen e një prone në zonën e Shijakut.
Adrian Rama hapi tri vjet më parë selinë e kompanisë së tij, Kryon.83, edhe në Prishtinë.
Sipas dosjes hetimore, kompania kishte blerë rreth 1.5 hektarë tokë nga Raiffeisen Bank, ndërsa SPAK dyshon se fondet e përdorura për këtë blerje kanë pasur origjinë të dyshimtë.
Hetuesit dyshojnë se paratë janë kaluar përmes transaksioneve financiare dhe pasurive të paluajtshme me qëllim fshehjen e burimit të tyre.
Në kuadër të këtij hetimi, SPAK ka vendosur masa sigurie dhe ka sekuestruar pasuri të shumta, përfshirë llogari bankare, prona dhe biznese të lidhura me të dyshuarit.
Kompania “Kryon.83” figuron me seli në Prishtinë, ndërsa hetimet për rastin po vazhdojnë nga autoritetet shqiptare.








