Behgjet Pacolli, ish-president i Kosovës dhe biznesmen i njohur kosovar, ka pasur një përplasje nga distance e përmes shkronjave me dy gazetarë dhe analistë, Berat Buzhala dhe Vehbi Kajtazi. E gjitha nisi pas shkrimeve dhe videove të Buzhalës dhe Kajtazit. Çka ndodhi dhe pse Pacolli u reagoi Buzhalës dhe Kajtazit?
Ditë më parë, mediumi Paparaci publikoi një shkrim rreth çështjes së aeroportit të Vlorës, një nga kontestet ligjore në të cilën Pacolli përballet me një tjetër biznesmen nga Kosova, Valon Ademi. Që në titull, Paparaci shkruante se ka dokumente që zbulojnë “skemën e dyshimtë pas kredisë 100 milionëshe të Pacolli”.
“Dokumentet nuk zbulojnë asnjë detaj për strukturën që qëndron prapa Delphos. Nuk bëhet i ditur identiteti i atyre që kanë siguruar kapitalin fillestar, as burimi i fondeve me të cilat është financuar projekti” – shkruante Paparaci, ndër të tjera.
Ndonëse pretendohej për dokumente, në shkrimin e Paparacit nuk figuronte asnjë dokumnent, që mund të mbështeste këto pretendime të mediumit.
Në të njëjtën ditë, Kajtazi publikoi një shkrim tjetër, që sërish fliste për kredinë 100 milionëshe, të cilën në shkrimin e mëparshëm “Paparaci” e kishte cilësuar si “skemë të dyshimtë”. Madje, Kajtazi kishte treguar që në titull edhe cytjen e këtij shkrimi, duke theksuar se ishte një mesazh i Pacollit në “Whatsapp”, që e shty të gjurmonte kredinë 100 milionëshe.
Sërish, as Kajtazi nuk ofroi ndonjë dokument, ndonëse citonte disa kontrata, amendamente e struktura biznesore. Shkrimi ngjasonte me një shkrim akademik, ku kishte madje edhe “përfundim” në formë të konkluzionit, e pastaj pretendohej se janë analizuar disa dokumente (një pjesë në anglishte), të cilat nuk ofroheshin për publikun e gjerë, që të analizoheshin në mënyrë kritike dhe të pavarur.
Reagimi i Pacollit
Ndaj këtyre shkrimeve, reagoi Pacolli. Në reagimin e tij, Pacolli ngjalli dyshime rreth përgatitjes së autorit të shkrimit, pra në këtë rast Kajtazi.
“Siç jua kam thënë me sms, ju nuk jeni ekspert i financave ndërkombëtare, i strukturimit të kredive apo i financimit të projekteve të mëdha. Prandaj, përpjekja juaj për t’u paraqitur si autoritet në këtë fushë është e dobët, joserioze dhe ka karakter dezinformues me pretendime qe vetëm ju i njifni….dhe për lexuesin, e pa vlerë!
Një gazetar serioz nuk ndërton narrativa mbi hamendësime, por mbi dokumente, fakte dhe verifikime. Kur mungojnë këto, nuk kemi më gazetari, por opinion të maskuar si informacion” – shkroi Pacolli.
Përplasja Pacolli vs. Buzhala
Megjithatë, nuk përfundoi këtu përplasjet e Pacollit me gazetarët. Në lidhje me aeroportin e Vlorës, analisti Buzhala publikoi një video, ku Pacolli akuzohej për reagime kundër Edi Ramës, kryeministër i Shqipërisë, duke theksuar se Pacolli “dukej gati t’i bashkohej Arlind Qorrit në revolucion”.
Pas kësaj video, reagoi Pacolli, i cili e kritikoi ashpër Buzhalën, duke e quajtur edhe të pamoralshëm, edhe djallëzor, edhe “njeri të keq”.
“Ti more NJERI I KEQ mund të vazhdosh të shpifësh sebashku me ata të sojit tend. Ti mund të vazhdosh të ndërtosh kronika mbi insinuata e të pavërteta. Por, një gjë nuk mund ta ndryshosh: njerëzit tashmë të njohin. Ata e dinë dallimin mes gazetarisë dhe propagandës, mes kritikës dhe shpifjes, mes integritetit dhe interesit” – ka shkruar Pacolli, ndër të tjera.
Pastaj, reagoi Buzhala, duke e komentuar përmendjen e shërimit të prindit nga ana e Pacollit.








