“Hëngra ketchup dhe djathë”, vajza në Venezuelë rrëfen si mbijetoi 32 orë nën rrënoja

Një histori e jashtëzakonshme mbijetese ka prekur opinionin publik në Venezuelë, ku 12-vjeçarja Fabiana Blanco arriti të qëndrojë gjallë për plot 32 orë nën rrënojat e banesës së saj pas tërmeteve të fuqishme që goditën vendin më 24 qershor.

Në momentin kur lëkundjet sizmike nisën, nëna e saj, Karina Blanco, ndodhej në punë si instruktore fitnesi. Sapo kuptoi fuqinë e tërmetit, ajo u nis me shpejtësi drejt shtëpisë, vetëm për t’u përballur me një pamje tronditëse: ndërtesa ku jetonte familja ishte shembur pothuajse tërësisht.

Ndërkohë, Fabiana kishte mbetur e bllokuar mes betonit dhe rrënojave. E shtrirë në një hapësirë tepër të ngushtë, ajo kaloi orë të tëra duke shpresuar se dikush do ta dëgjonte. Për të mbajtur veten në jetë, vajza konsumoi një shishe ketchup dhe pak djathë të grirë që gjeti pranë saj.

“Besova se do të vdisja, por më pas ndjeva se duhej të luftoja. Për çudi, ruajta qetësinë dhe vazhdova të shpresoja se do të shpëtohesha,” rrëfen ajo.

Në përpjekje për të lënë një gjurmë të ekzistencës së saj, Fabiana regjistroi edhe një video me telefonin celular, edhe pse rrjeti telefonik nuk funksiononte. Në mesazhin e saj ajo kërkonte ndihmë dhe tregonte se shumë banorë të tjerë ishin bllokuar nën rrënoja.


Shpresa për familjen u rikthye kur një vullnetar arriti të dëgjonte zërin e vajzës dhe njoftoi nënën se ajo ishte ende gjallë. Pas disa përpjekjeve të pasuksesshme, ekipet e shpëtimit arritën të krijonin një tunel dhe ta nxirrnin Fabianën rreth orës 02:00 të mëngjesit, plot 32 orë pas shembjes së ndërtesës.

Pamjet e momentit kur vajza buzëqesh nga mes rrënojave, pak para se të shpëtohej, janë shpërndarë gjerësisht në rrjetet sociale dhe janë kthyer në simbol të shpresës mes tragjedisë.

Fabiana pësoi vetëm një frakturë në këmbën e majtë dhe disa gërvishtje, ndërsa tani po rikuperohet pranë familjarëve. Megjithatë, ajo pranon se përjetimi i ka lënë pasoja emocionale dhe ende e ka të vështirë të shtrihet në shpinë, pasi kjo i rikthen kujtimet e orëve të kaluara nën rrënoja.

Sipas autoriteteve, tërmetet shkaktuan mijëra viktima dhe dëme të mëdha materiale, ndërsa shumë persona rezultojnë ende të zhdukur. Për familjen Blanco, fakti që Fabiana u kthye e gjallë mbetet mrekullia më e madhe mes një prej tragjedive më të rënda që ka përjetuar vendi.

/GazetaKosova/

- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - spot_imgspot_img

Te Veqanta

Social Media

- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING - Vipa Chipsspot_img

Lajmet e Fundit