Një rast i rëndë dhune dhe kërcënimesh është raportuar në fshatin Lubiqevë të Prizrenit, ku një person dyshohet se ka terrorizuar bashkëfshatarët e tij për disa ditë me radhë, duke eskaluar deri në sulm fizik dhe kërcënime me thikë.
Sipas burimeve nga banorët e këtij fshati, i dyshuari Enis Kryeziu fillimisht ka kanosur kryetarin e fshatit Lubiqevë, ndërsa më pas ka sulmuar fizikisht drejtorin e shkollës së fshatit, të cilit dyshohet se i ka vendosur thikën në fyt.
Po ashtu, i njëjti dyshohet se ditë më parë ka kërcënuar edhe imamin e xhamisë së fshatit, si dhe ka dëmtuar kamerën e sigurisë së objektit fetar.
Të premten, kryetari i fshatit dhe drejtori i shkollës kanë bërë denoncim në Policinë e Kosovës, pas së cilës njësitet policore kanë intervenuar dhe kanë arrestuar të dyshuarin.
Gjatë arrestimit, policia ka sekuestruar edhe thikën e përdorur në rast.
Hetimet lidhur me rastin janë duke vazhduar.








