Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se në mandatin e ardhshëm Qeveria synon të investojë 1 miliard euro në sektorin e mbrojtjes, si pjesë e planit për fuqizimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Deklarata u bë gjatë ceremonisë së diplomimit të gjeneratës 2026 të kadetëve të FSK-së, ku Kurti theksoi se krahas investimeve në pajisje moderne dhe infrastrukturë ushtarake, prioritet mbetet edhe zhvillimi i kuadrove të përgatitura profesionalisht.
Ai njoftoi gjithashtu synimin për rritjen e pjesëmarrjes së grave në ushtri dhe ndërtimin e një fabrike për prodhimin e municioneve në Kosovë.
Sipas Kurtit, një ushtri moderne nuk ndërtohet vetëm me pajisje, por edhe me personel të trajnuar dhe të përkushtuar ndaj shtetit dhe misionit të saj.
Në ceremoni foli edhe komandantja e Qendrës për Studime Universitare, majorja Mimoza Buteci, e cila theksoi rëndësinë e disiplinës, përgjegjësisë dhe vendosjes së interesit shtetëror mbi atë personal në karrierën ushtarake të kadetëve të rinj.








