Një mosmarrëveshje në komunikacion ka eskaluar në kanosje me armë zjarri në Vushtrri, ku një 28-vjeçar ka përfunduar në pranga.
Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se rasti ka ndodhur në rrugën “Isak Halili”, ku viktima, V.H., rreth 26-vjeçar, ka raportuar se derisa po lëvizte me automjetin e tij në rrugën e lagjes, kishte hasur në një veturë të ndalur që ia bllokonte kalimin.
Sipas deklarimit të tij, pasi i kishte rënë borisë dhe i kishte bërë me shenjë drejtuesit të automjetit që ta lëvizte pak veturën, i dyshuari Enis Xhaferi, rreth 29-vjeçar ka dalë nga automjeti me një armë të tipit pistoletë në dorë, ia ka drejtuar armën, duke e fyer dhe kërcënuar.
I frikësuar, ankuesi është larguar menjëherë me veturë dhe e ka raportuar rastin në Polici.
Pas veprimeve hetimore, Policia ka arrestuar të dyshuarin, ndërsa gjatë kontrollit i është gjetur dhe sekuestruar një pistoletë e tipit “Zoraki” dhe një karikator pa fishekë.
Me urdhër të Prokurorit kujdestar, rasti është iniciuar për veprat penale “Kanosje” dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, ndërsa Enis Xhaferi është dërguar në ndalim për 48 orë.
Hetimet për rastin janë në vazhdim.








