Kompania “Lab Oil” me pronar Raif Gashi është përfshirë në skandalin e dallavere me çmime të naftës, duke shitur derivate të naftës me çmime më të larta se sa që kishte vendosur shteti për shkak të krizës globale.
Veriu.info ka siguruar procesverbalin e inspektorëve të tregut të Ministrisë së Tregtisë, të cilët në bashkëpunim me inspektorët e ATK-së, kishin inspektuar këtë kompani më 24 mars 2026.
Pas këtij inspektimi, ishte konstatuar se “Lab Oil” Sh.P.K. kishte shkelur Ligjin për Tregtinë me Produkte të Naftës, duke shitur derivate të naftës me çmime më të larta se sa kishte vendosur shteti përmes Ministrisë së Tregtisë.
Për shkak të këtij abuzimi me çmime dhe faktikisht dëmtimit financiar të qytetarëve, Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut i Ministrisë së Tregtisë, më 8 maj 2026 ka filluar procedurën kundërvajtëse ndaj “Lab Oil” në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Divizioni për Kundërvajtje në Graçanicë.
“Bazuar në procesverbalin nr. 002424/24 të datës 24/03/2026 dhe në Raportin e Administratës Tatimore të Kosovës me ç’rast është konstatuar që Operatori Ekonomik “Lab Oil” shpk, e ka tejkaluar Marzhën Tregtare maksimale të lejuar për shitje me Pakicë për produktin Dizel dhe Benzinë, i cili nuk e ka respektuar vendimin për rregullimin e çmimeve të caktuara. Veprim ky në kundërshtim me nenin 15 të Ligjit nr. 08/L-018 Për Tregtinë me Produkte të Naftës dhe Karburanteve të Ripërtërishme, i sanksionuar me nenin 19 paragrafi 13 të po të njëjtit ligj dhe në nenin 26 të Ligjit nr. 06/L-034 Për Mbrojtjen e Konsumatorit dhe ndëshkohet me nenin 137 të po të njëjtit ligj”, thuhet në arsyetimin e IQMT-së.
Sanksionet e nenit 19, paragrafi 13
Për shkelje të vendimit për marzhën e fitimit maksimal, në kërkesë thuhet se sanksioni është paraparë me nenin 19, paragrafi 13 i Ligjit nr.08/L-018 për Tregtinë me Produkte të Naftës dhe Karburanteve të Ripërtëritshme.
Sipas paragrafit 13, dënimi maksimal për persona juridikë është i paraparë në shumën prej 6 mijë euro.
“Kushdo që, në kundërshtim me nenin 15 të këtij ligji, nuk respekton kufizimin e çmimit të produktit të naftës ose karburantit të ripërtëritshëm dënohet me gjobë prej dy mijë (2.000) deri në gjashtë mijë (6.000) euro, si person juridik”, thuhet në paragrafit 13 të nenit 19 të Ligjit nr.08/L-018.
Ndryshe, kompania “Lab Oil” është e themeluar në vitin 2009 me pronar të 100% të aksioneve Raif Gashi.








