Gjykata Themelore e Prishtinës ka caktuar masën e paraburgimi prej një muaji për të dyshuarën A.R për veprën penale “vrasja”.
Në njoftimin e Gjykatës janë dhënë detaje për atë se si ka ndodhur rasti. Sipas Gjykatës, e pandehura dyshohet se e ka privuar nga jeta F.H, ku pas një përleshjeje fizike, ka marrë armën e zjarrit dhe ka shtënë një herë në drejtim të tij.
“Pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit te shkresave te lëndës, gjyqtari i procedurës paraprake i Departamentit për Krime te Rënda Ilir Bytyqi, ka vlerësuar se ekziston dyshimi i bazuar, se me datë 28 qershor 2026, rreth orës 22:40 në një rrugë në Ferizaj, përkatësisht në kompleksin banesor “I.C.”, të marr me qera nga babai i të pandehurës M.B., e pandehura ka privuar nga jeta tani të ndjerin F.H., në atë mënyrë që tani i ndjeri kishte shkuar në banesën, në të cilën ndodhej e pandehura, dhe gjatë qëndrimit në banesë, pas një mosmarrëveshje dhe përleshje fizike në mes tyre, e pandehura merr armën e zjarrit nga tani i ndjeri dhe shtënë njëherë në drejtim të tij, duke i shkaktuar plagë vdekjeprurëse, si pasojë e të cilave i njëjti ka ndërruar jetë në vend ngjarje”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.








