Rashiq: Institucionet të formohen në pako, jo fazë pas faze – Do i kërkoj Kurtit të bashkëpunojë në veçanti për presidentin

Ministri në detyrë për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, ka deklaruar se Lëvizja Vetëvendosje është partneri i parë me të cilin synon të bisedojë për formimin e institucioneve të reja, por ka kërkuar që procesi të mos kufizohet vetëm te zgjedhja e qeverisë, por të përfshijë edhe një marrëveshje për zgjedhjen e presidentit dhe funksionalizimin e plotë të institucioneve.


Rashiq tha se rezultatet zgjedhore duhet të respektohen, ndërsa theksoi se pas katër palë zgjedhjeve është koha që partitë politike shqiptare të arrijnë një marrëveshje për t’i dhënë fund krizave institucionale.

“Shikoni, normale, kam thënë edhe më herët, normale që Lëvizja Vetëvendosje është adresa e parë. Jo vetëm për shkak të eksperiencës që kemi pasur tre-katër vitet e fundit, por për shkak se Lëvizja Vetëvendosje ka marrë 53 ulëse në Kuvend nga 100 që janë dedikuar për shqiptarët. Prandaj një shumicë të deputetëve shqiptarë, dhe në atë aspekt duhet respektuar këtë fakt dhe normale që adresa e parë është në këtë rast Lëvizja Vetëvendosje. A me të vërtetën kur vjen koha që të bisedojmë unë do të kem do propozime për një fuqizim ose një përmirësim eventual të komunikimit dhe marrëdhënieve, në veçanti të bashkëpunimit, sepse gjithmonë mundet më mirë. Dhe të thuhet ajo unë e shoh hapësirë shumë që të bëhet një përmirësim në atë drejtim”, tha ai në intervistë EO.

Rashiq tha se bashkëpunimi me Vetëvendosjen duhet të jetë proaktiv dhe të përfshijë edhe propozimet e partive të komuniteteve.

“Prandaj, është adresa e parë Lëvizja Vetëvendosje, por gjithqysh jo vetëm për një bashkëpunim pasiv, por në këtë rast për një bashkëpunim i cili do të jetë në mënyrë që propozimet tona, në veçanti jo vetëm unë si kryetar i një partie të vogël, por gjithashtu dhe kolegët e mi nga radhët e komuniteteve, t’i prezantojmë dhe t’i propozojmë ide të cilat po konsiderojmë që do të jenë në favor të krijimit të institucioneve. Prandaj, siç thashë, jo një bashkëpunim pasiv, por kisha thënë një bashkëpunim proaktiv ku edhe idetë tona duhet të merren parasysh dhe si të tilla t’i implementojmë së bashku”, tha ai, për Ekonomia Online.

Ai u shpreh se do t’i kërkojë Vetëvendosjes të ndërmarrë iniciativa për të arritur konsensus me partitë shqiptare, veçanërisht për zgjedhjen e presidentit.

“Po ende s’kemi formuar grupin, prandaj unë flas në emrin tim personal, nuk e flas në emër të grupit sepse ende nuk e kemi grupin. Unë së pari do të kërkoj prej kryeministrit në këtë radhë, ose Vetëvendosjes, që ta përdorin çdo formë të iniciativave të cilat mund të na sjellin deri në një bashkëpunim, në veçanti me partitë shqiptare sa i përket përzgjedhjes së presidentit, sepse konsideroj që kjo është çelësi, të them ashtu, ose një pikë potencialisht e dobët në krejt këtë procesin që e kemi tash pas zgjedhjeve. Dhe unë vetë kam me i kërku prej palëve që ta bëjmë një planifikim gjithëpërfshirës. Mos të jetë vetëm fazë pas faze, ose të krijohet një pjesë e institucioneve pa pasur plan çfarë bëhet me institucionet e tjera. Sepse, të përkthehet në një fjalë më popullore, është shumë e rëndësishme që të kemi krejt një pako, se mos t’ua mundësojmë armiqve të institucioneve të Kosovës që të ndikojnë prapë me do presione ose manovrime të cilat gjithqysh do të na sjellshin deri në një situatë shumë të keqe, sigurisht që kemi pasur deri më tani”, tha ai.

Sipas Rashiqit, partitë politike duhet të shmangin një tjetër vit të humbur për shkak të krizës politike.

“Unë shumë mbështetem në konstatimet strategjike që i bën Bashkimi Evropian. Pasi që konstatojmë që BE-ja është një cak i pashmangshëm, i vetmi cak që duhet ta kemi të gjithë ne politikanët dhe të gjitha sistemet në Ballkan, atëherë fjalët e tyre, kur thanë që viti 2025 ka qenë vit i humbur, mua personalisht më kanë prekur, sepse nuk po dëshiroj që ne si institucione të kemi vite të humbura për shkak të krizave politike. Prandaj, ta shmangim konstatimin e radhës që edhe viti 2026 të konsiderohet vit i humbur. Hajde ta bëjmë një pako të përcaktimit të institucioneve ose të metodave të përzgjedhjes së përfaqësuesve brenda këtyre institucioneve dhe pastaj votojmë çka do”, tha ai.

Ai u bëri thirrje partive politike të lënë anash përplasjet dhe të bashkëpunojnë.

“Të gjithë institucionet. Kisha thënë se të gjitha partitë politike, unë e kuptoj në veçanti nga radhët e partive politike shqiptare, që është krijuar një animozitet i cili me të vërtetën ndonjëherë mua po më duket shumë absurd, por megjithatë fakti është që ka një animozitet i cili është psikologjik në masë më të madhe, por gjithashtu na krijon problem. Ju keni këtë fjalë që thotë ‘për inat’, por me të vërtetën po e vuajnë qytetarët. Dhe unë nuk jam njeri i tillë, unë gjithmonë kam qenë për marrjen e përgjegjësisë dhe me tolerancë. Demokracia do të thotë që edhe ju ta keni të drejtën, jo vetëm unë. Prandaj duhet të jemi diku në mes të bindjeve ku po na duhet të bashkëpunojmë”, tha ai.

I pyetur nëse do të jetë sërish pjesë e qeverisë si ministër, Rashiq tha se Kushtetuta parasheh përfaqësimin e komunitetit serb në ekzekutiv, ndërsa përzgjedhja i takon partive shqiptare.

“Pa shikoni, nëse në këtë rast, ju e dini që Kushtetuta parasheh që së paku një ministër nga komuniteti serb duhet të jetë aty. Dhe nëse hipotetikisht nuk ka, për shembull, në votimin e qeverisë, atëherë një votim i tillë, pa ministër nga komuniteti serb, nuk do të ishte ligjor. Prandaj, është e pashmangshme, e tash përzgjedhja e partive shqiptare në këtë rast, të cilat duhet të marrin përgjegjësi, a do ta përzgjedhin mua si i vetmi jashtë Listës Serbe ose Listën Serbe, kjo është vendimi i tyre”, tha ai.

Në fund, Rashiq tha se dështimi për të formuar institucionet do të ishte i pajustifikueshëm.

“Po të them të vërtetën, nëse nuk ka zgjidhje tani, atëherë me të vërtetën ne politikanëve po na duhet një ligj i veçantë, një komision i veçantë, ku psikiatri duhet me qenë kryesues i komisionit. Me të vërtetë nuk ka një shpjegim tjetër, sepse kjo për mua do të ishte personalisht një dështim i sistemit në të cilin besoj tash e 20 vjet. Por ju kujtoj që në janar i kam mbushur 20 vjet që merrem me politikë dhe unë besoj që sistemi ka një perspektivë, por ky faktori i kapaciteteve njerëzore është gjithmonë sfidues për ne”, tha ai.

/GazetaKosova/

- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - spot_imgspot_img

Te Veqanta

Social Media

- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING - Vipa Chipsspot_img

Lajmet e Fundit