Një avion i vogël që i përkiste një shkolle të hedhjeve me parashutë është rrëzuar të dielën në qytetin Tomblaine, në verilindje të Francës, duke shkaktuar vdekjen e të gjithë 11 personave që ndodheshin në bord, raporton The Guardian.
Sipas autoriteteve lokale, viktimat janë piloti, pesë instruktorë dhe pesë studentë të shkollës së parashutizmit. Prefekti rajonal, Yves Seguy, deklaroi se avioni dyshohet të ketë pësuar një defekt teknik përpara se të binte në mënyrë pothuajse vertikale. Aksidenti ndodhi pranë një qendre tregtare, në një zonë të banuar.
Sipas autoriteteve, tragjedia mund të kishte pasur pasoja edhe më të rënda, pasi avioni u rrëzua vetëm pak metra larg zonave me prani të madhe njerëzish.
Ministri i Brendshëm i Francës është nisur drejt vendit të ngjarjes, ndërsa autoritetet kanë nisur hetimet për të zbardhur shkaqet e aksidentit.








