Autoritetet në Gjermani kanë arrestuar një grua 32-vjeçare nën dyshimin për vrasjen e djalit të saj tre muajsh në qytetin Renningen, pranë Stuttgartit.
Sipas policisë gjermane, fillimisht nëna kishte raportuar më 18 qershor se foshnja e saj ishte rrëmbyer. Megjithatë, një ditë më vonë, trupi i pajetë i foshnjës u gjet në një përrua rreth 500 metra larg banesës familjare.
Pas zhvillimeve të hetimit dhe analizave mjeko-ligjore, autoritetet kanë ngritur dyshime të forta ndaj 32-vjeçares, duke ndryshuar drejtimin e hetimeve nga një rast i supozuar rrëmbimi në një vrasje të mundshme.
Mediat gjermane raportojnë se foshnja, i quajtur Adriani, kishte lindur para kohe dhe se nëna kishte zbuluar shtatzëninë në një fazë të vonshme. Po ashtu, raportohet se ajo jetonte në kushte të vështira ekonomike dhe se fqinjët kishin raportuar më herët konflikte të shpeshta në banesë.
Autoritetet gjermane po vazhdojnë hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes, ndërsa priten detaje të reja në ditët në vijim.








