Nga Ismet Haziri
Kriza paszgjedhore në LDK ka qenë, në një masë të madhe, e pritshme. Megjithatë, mënyra se si menaxhohet ajo është po aq e rëndësishme sa vetë kriza. Çdo pakënaqësi, debat apo dallim qëndrimesh duhet të trajtohet brenda shtëpisë politike, përmes organeve statutare dhe mekanizmave që vetë LDK i ka ndërtuar ndër vite.
LDK ka një anëtarësi të gjerë, një bazë të organizuar, kuadro me përvojë, aktivistë të përkushtuar, Kuvendin dhe Këshillin e Përgjithshëm. Këto janë institucionet që kanë legjitimitetin dhe kapacitetin për të analizuar rezultatin zgjedhor, për të identifikuar secilin problem e pakënaqësi veç e veç dhe për të marrë vendimet e nevojshme. Pikërisht këto organe duhet ta udhëheqin procesin e reflektimit dhe të reformimit.
Prandaj, nuk ka nevojë që kriza e brendshme të menaxhohet apo të ushqehet nga analistë, e aq më pak nga subjektet tjera politike, të cilat edhe vetë përballen me sfidat dhe problemet e tyre. Çdo parti duhet t’i zgjidhë çështjet e veta përmes strukturave dhe institucioneve të saj.
Po ashtu, kohët e fundit janë dëgjuar zëra që shprehin dëshirën për dobësimin apo edhe zhdukjen e LDK-së nga skena politike. Një qasje e tillë nuk i shërben demokracisë dhe as kulturës politike në Kosovë. LDK nuk është vetëm një subjekt politik; ajo është pjesë e historisë moderne të Kosovës dhe lidhet ngushtë me trashëgiminë politike të themeluesit të saj, Presidentit Historik Ibrahim Rugova, arkitektit të rezistencës paqësore dhe të themeleve të shtetit të Kosovës. Kontributi i saj në proceset që çuan drejt lirisë, pavarësisë dhe ndërtimit të institucioneve është pjesë e historisë sonë shtetformuese dhe nuk mund të mohohet apo të zbehet nga interesat e momentit.
Po aq e rëndësishme është që edhe brenda vetë LDK-së të mbizotërojë arsyeja politike. Çdo grupim apo klan duhet ta harrojë se mund ta gjunjëzojë arsyen politike. Interesat personale apo grupore nuk mund dhe nuk duhet të mbizotërojnë mbi interesin e përgjithshëm të partisë. Garat, ambiciet dhe dallimet janë legjitime në një subjekt demokratik, por ato nuk guxojnë të shndërrohen në përçarje që dëmtojnë LDK-në dhe misionin e saj historik.
Askush nuk ka të drejtë të marrë anën absolute, duke pretenduar se zgjidhja është vetëm “kështu” ose vetëm “ashtu”. Zgjidhjet duhet të burojnë nga debati demokratik, respektimi i statutit dhe vendimmarrja e organeve legjitime të LDK-së. Vetëm kështu krizat shndërrohen në mundësi për reflektim, reformim dhe forcim të partisë, duke ruajtur njëkohësisht historinë, identitetin dhe rolin e saj në jetën politike të Kosovës.
LDK-ja ka kaluar edhe sfida më të mëdha gjatë historisë së saj. Edhe këtë krizë mund dhe duhet ta tejkalojë me maturi, unitet, përgjegjësi dhe besim në vlerat që e kanë bërë një nga shtyllat kryesore të shtetndërtimit të Kosovës.








