Demokracia kërkon respekt, jo ndërhyrje

Shkruan Ismet Haziri

Një nga parimet themelore të demokracisë është respektimi i vullnetit të qytetarëve dhe i institucioneve që dalin nga zgjedhjet e lira. Si shqiptar, më intereson që Shqipëria të jetë një shtet stabil, i zhvilluar dhe me perspektivë të qartë euroatlantike. Pikërisht për këtë arsye, besoj se çështjet politike dhe shoqërore që lidhen me Shqipërinë duhet të trajtohen para së gjithash nga qytetarët dhe institucionet e saj.

Në lidhje me protestat që po zhvillohen në Tiranë për çështjen e Zvërnecit, është e drejtë demokratike e qytetarëve të Shqipërisë të protestojnë, të shprehin pakënaqësitë e tyre dhe të kërkojnë zgjidhje sipas bindjeve të tyre. Po aq e drejtë është edhe që ata vetë të përcaktojnë kur dhe si do të vazhdojnë ose përfundojnë këto protesta.

Megjithatë, mendoj se përfshirja aktive e eksponentëve politikë apo grupeve të organizuara nga troje të tjera shqiptare në debatet e brendshme politike të Shqipërisë nuk është qasja e duhur. Qytetarët e Shqipërisë kanë të drejtën dhe përgjegjësinë të vendosin vetë për çështjet që prekin shtetin dhe shoqërinë e tyre.

Ashtu siç ne në Kosovë presim që të respektohet e drejta jonë për të vendosur vetë për drejtimin politik, ekonomik dhe shoqëror të vendit tonë, po ashtu duhet të respektojmë të drejtën e qytetarëve të Shqipërisë për të vendosur vetë për të tashmen dhe të ardhmen e tyre. Shqipëria ka institucionet, strukturat dhe kuadrot e veta, të cilat duhet të marrin përgjegjësinë për zgjidhjen e sfidave të saj.

Marrëdhëniet ndërshqiptare duhet të ndërtohen mbi respektin reciprok dhe mbi parimin që secili shtet dhe secili popull ka të drejtë të vendosë vetë për fatin e tij. Demokracia nuk forcohet përmes ndërhyrjeve të jashtme, por përmes respektimit të vullnetit të qytetarëve dhe institucioneve që ata zgjedhin.

/GazetaKosova/

- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - spot_imgspot_img

Te Veqanta

Social Media

- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING - Vipa Chipsspot_img

Lajmet e Fundit