Studim i ri: Suplementet omega-3 nuk përmirësojnë kujtesën apo njohjen mendore

Nëse po merrni suplemente omega-3 me vaj peshku ose algash për të parandaluar Alzheimerin apo demencën, duhet ta keni parasysh këtë: një studim i ri klinik tregon se këto suplemente nuk sollën asnjë përmirësim në kujtesë, njohje mendore apo në humbjen e qelizave të trurit.

“Suplementet omega-3 si një mjet i përgjithshëm nuk funksionojnë,” tha autori kryesor i studimit, Dr. Hussein Yassine, profesor i Neurologjisë në Universitetin e Kalifornisë Jugore (USC) në Los Angeles, raporton CNN.

“Edhe kur pamë nivele të larta të omega-3 në trurin e grupit që mori trajtimin, kjo nuk e përmirësoi njohjen mendore,” shtoi Yassine, i cili drejton Qendrën për Shëndetin e Personalizuar të Trurit në Keck.

Çfarë funksionon atëherë? Sipas tij, më e rëndësishmja është përmirësimi i stilit të jetesës: aktiviteti fizik, reduktimi i stresit, gjumi cilësor dhe një dietë me bazë bimore, duke marrë omega-3 nga peshku i yndyrshëm, arrat dhe farat.

“Në Mesdhe, nivelet e larta të omega-3 janë tregues shumë të fortë të funksionit të mirë njohës,” tha Yassine. “Por njerëzit në Mesdhe nuk marrin suplemente. Ata hanë peshk të yndyrshëm, ushtrohen, takohen me miq dhe jetojnë më ngadalë me më pak stres.”

“Në atë kontekst, omega-3-të ndihmojnë trurin,” shtoi ai. “Por nëse ke një dietë tipike perëndimore me ushqim të shpejtë, nuk ushtrime dhe stres të vazhdueshëm, edhe nëse ke më shumë omega-3 në tru, nuk ndryshon asgjë.”

Pas viteve të mesazheve publike se suplementet e vajit të peshkut mund të mbrojnë nga demenca, është koha të rishikohet kjo ide, tha studiuesi i Alzheimerit, Dr. Richard Isaacson.

“Omega-3 janë shumë të rëndësishme për shëndetin optimal të trurit, sidomos për personat me gjenin APOE4, që rrit rrezikun për Alzheimer,” tha ai. “Por ky studim tregon se ato nuk funksionojnë mirë tek njerëzit që nuk e kanë përmirësuar më parë stilin e jetesës.”

Një organizatë që përfaqëson industrinë e omega-3 theksoi se studimi duhet parë në kontekstin e gjithë kërkimeve shkencore ekzistuese.

Sipas tyre, shumë studime të tjera kanë treguar efekt mbrojtës të EPA/DHA omega-3 ndaj Alzheimerit dhe përfitime të mundshme njohëse.

Pse janë të rëndësishme acidet yndyrore omega-3?

Omega-3 janë yndyra të domosdoshme për trupin e njeriut. Ato ndihmojnë në uljen e tensionit të gjakut, përmirësimin e kolesterolit të mirë, shëndetin e qelizave dhe ulin rrezikun për sëmundje si kanceri, demenca dhe Alzheimeri.

Ato janë shumë të rëndësishme edhe për trurin, pasi deri në 60% e trurit përbëhet nga yndyra, dhe rreth 35% e tyre janë omega-3. Megjithatë, trupi nuk i prodhon vetë, prandaj duhet të merren përmes ushqimit si salmoni, sardelet, arrat, farat chia dhe liri.

Shumë njerëz nuk konsumojnë mjaftueshëm këto ushqime, prandaj përdorin suplemente. Por ekspertët theksojnë se ushqimet natyrale sjellin edhe lëndë të tjera ushqyese që suplementet nuk i zëvendësojnë.

Rezultatet e studimit

Studimi përfshiu 365 persona të moshës 55–80 vjeç, pa demencë, por me faktorë rreziku. Ata u ndanë në dy grupe: njëri mori suplement omega-3, tjetri placebo, për 24 muaj.

Edhe pse nivelet e omega-3 në gjak dhe në tru u rritën te grupi që mori suplementin, nuk u pa asnjë përmirësim në kujtesë apo në strukturën e trurit.

“Nuk kishte asnjë ndryshim real mes grupit që mori omega-3 dhe atij me placebo,” tha Yassine.

Studiuesit e përshkruan efektin si “një pikë në oqean” për njerëzit që nuk kanë stil jetese të shëndetshëm.

Në përfundim, ekspertët theksojnë se omega-3 nga suplementet nuk mjaftojnë vetë dhe se efekti i tyre varet shumë nga dieta dhe mënyra e jetesës në tërësi.

/GazetaKosova/

- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - spot_imgspot_img

Te Veqanta

Social Media

- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING - Vipa Chipsspot_img

Lajmet e Fundit