Pas certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve të 7 qershorit, ish-deputetja dhe ish-ministrja nga Lëvizja Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka thënë se prioriteti kryesor i vendit duhet të jetë konstituimi i shpejtë i institucioneve.
Sipas saj, procesi duhet të nisë me funksionalizimin e Kuvendit, si hap i parë institucional, për të vazhduar më pas me formimin e Qeverisë dhe zgjedhjen e presidentit. Nagavci ka theksuar se vetëm pas këtyre hapave vendi mund të ecë përpara me punët që kërkojnë zgjidhje.
“Qytetarët kanë votuar për institucione që punojnë, jo për bllokada e zvarritje. Zgjedhjet e reja mund të ishin shmangur. Mund të ishin shmangur pas zgjedhjeve të shkurtit. Mund të ishin shmangur edhe pas atyre të dhjetorit. Por veçanërisht pas rezultatit të fundit, është e qartë se qytetarët kanë folur me një zë të qartë dhe të përsëritur”, ka deklaruar ajo.
Sipas saj, zgjedhjet e reja mund të ishin shmangur në disa raste të mëhershme.
“Në vend të reflektimit, disa zgjodhën bllokadën. Në vend të pranimit të realitetit politik, zgjodhën ta çojnë vendin në procese të reja zgjedhore, duke humbur kohë të çmuar institucionale dhe duke i kushtuar miliona euro buxhetit të shtetit”, tha ajo.








