Presidenti i Kosovës duhet të zgjidhet para formimit të Qeverisë, thotë ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani. Sipas tij, pas konstituimit të Kuvendit, deputetët duhet fillimisht të trajtojnë çështjen e zgjedhjes së presidentit, veçanërisht tash kur posti i kreut të shtetit është vakant. Ai thekson se një renditje e tillë buron nga norma kushtetuese dhe interpretimet e Gjykatës Kushtetuese.
Hasani në emisionin “Intervista e Javës” në KosovaPress, sqaron se sapo të zgjidhet kryetari i ri i Kuvendit pas zgjedhjeve të 7 qershorit, ai fiton një mandat të ri gjashtëmujor si ushtrues i detyrës së presidentit.
“Shikoni, tash t’iu them unë. Kjo që unë e them nuk është mendim i imi, por është normë. Është rregull kushtetues, aktgjykimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese, paragrafi 162 e bën të qartë si loti, që çdoherë kur nuk ka president, që është vakant, ai domethënë zgjidhet i pari. Kur, siç është rasti konkret. Atëherë janë gjashtëdhjetë ditë e vazhdon…. Unë, gjykuar sipas përvojës, që zoti Kurti s’është marrë fare as me Kushtetutë, as me ligj, i ka shkelur në mënyrën më primitive të mundshme që do të mbahet mend në historinë politike të këtij vendi. Ai mund të insistojë dhe të vazhdojë(me qeveri) mandej (me president)… Në qoftë se bëhen marrëveshje, organet tjera zgjidhen aty. Për njëherë paradite presidenti, mbasdite qeveria. Mundet për një ditë”, thotë ai.
Sipas tij, edhe nëse zgjidhet sërish kryetare e Kuvendit, Albulena Haxhiu, ajo ka mandat të ri gjashtëmujor si ushtruese e detyrës së presidentit.
Lexo po ashtuKosovarët po ndërgjegjësohen më shumë, shtojnë ankesat për privatësi e qasje në dokumente publikeNë anën tjetër, profesori i së drejtës dhe marrëdhënieve ndërkombëtare, Enver Hasani, vlerëson se pjesëmarrja e ulët e qytetarëve në zgjedhjet e 7 qershorit është pasojë e një zhgënjimi të thellë me klasën politike dhe mënyrën se si është menaxhuar mandati i besuar nga votuesit.
Hasani thotë se humbja e mbi 130 mijë votave nga Lëvizja Vetëvendosje dëshmon për atë që ai e quajti zhgënjim sistemik të qytetarëve, të cilët sipas tij, kanë humbur besimin se vota e tyre po përkthehet në institucione funksionale dhe zgjidhje konkrete.
Në zgjedhjet e 7 qershorit, sipas rezultateve preliminare, morën pjesë vetëm 725 mijë e 701 qytetarë, rreth 200 mijë më pak sesa në procesin e kaluar zgjedhor.
“Arsyeja është kjo, fiks për shkak se është parë domethënë që është një lloj tallje me mandatin e ofruar, me besimin që e ka dhënë qytetari për këto tri palë zgjedhje brenda një periudhe kaq të shkurtër, dhe është parë që është e kotë. Domethënë, ajo është, e sheh drita e kuqe për pushtetin… Te partia në pushtet nuk bëhet fjalë për faktorë subjektivë individualë, por bëhet fjalë për një zhgënjim sistemik për shkak se është pritur domethënë që vota që ishte më e madhja… ndëshkimi ka qenë në mënyrë lineare, proporcional për të gjithë. E unë mendoj që është dritë e kuqe për të gjithë që duhet me pa, me e ridefinu çështjen e agjendës dhe kauzave politike”, deklaron ai.
Rezultatet preliminare të zgjedhjeve parlamentare të 7 qershorit e nxjerrin Lëvizjen Vetëvendosje si forcën e parë politike në vend me rreth 42.9 për qind të votave, që aktualisht përkthehen në 48 ulëse në Kuvendin e Kosovës.
Lexo po ashtuU rikthye te Feronikeli, Shala flet për objektivat e klubit, Kosovën, Muriqin e ZhegrovënPartia Demokratike e Kosovës renditet e dyta me rreth 21.1 për qind të votave dhe 24 ulëse parlamentare, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës ka siguruar rreth 17.6 për qind të votave, që aktualisht i japin 20 mandate në Kuvend.
Ndërkohë, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka fituar rreth 7.2 për qind të votave dhe tetë ulëse parlamentare. Në përbërjen e Kuvendit përfshihen edhe 20 ulëset e garantuara për komunitetet joshumicë, prej të cilave 10 i takojnë komunitetit serb dhe 10 komuniteteve të tjera. Megjithatë, këto shifra mbeten të përkohshme, pasi në to ende nuk janë përfshirë votat me kusht, votat e personave me nevoja të veçanta dhe votat e diasporës, të cilat mund të ndikojnë në shpërndarjen përfundimtare të mandateve.
Këto shifra sipas Hasanit tregojnë domosdoshmërinë e arritjes së një marrëveshjeje politike për formimin e institucioneve të reja, ku përfshihet kryetari i Kuvendit, formimi i qeverisë dhe zgjedhja e presidentit.
Sipas tij, nëse shkohet sërish në zgjedhje të reja, do të ishte fatale për Lëvizjen Vetëvendosje.
Në intervistë, Hasani komenton edhe rezultatin e PDK-së, duke e lidhur rënien e votës me mungesën e figurave të reja dhe me një fushatë që, sipas tij, nuk solli energji apo dinamikë të re.
Lexo po ashtu“Bodrum gjysmë i mbushur me ujë”, ambasadori britanik dhe ai gjerman komentojnë deklaratën e Kurtit
Ndërkaq foli edhe për pozitën politike të ish-presidentes Vjosa Osmani, për të cilën tha se rezultati zgjedhor i 7 qershorit tregon se mbështetja që ajo kishte marrë në vitin 2021 nuk ishte votë personale, por kryesisht e lidhur me Lëvizjen Vetëvendosje.
Sipas tij, Osmani ka pasur një rol periferik në politikën e Kosovës dhe zgjedhjet e fundit shërbyen si një test i identitetit të saj politik.
Zgjedhjet parlamentare të 7 qershorit ishin të tretat që mbahen në Kosovë brenda 16 muajve të fundit, një tregues i vazhdimit të krizës politike dhe pamundësisë së subjekteve politike për të siguruar stabilitet afatgjatë institucional.










