“Edhe unë kam diçka në bark” – Shtatë vite jetë, 28 vite kujtim

Shkruan: Besnik Gashi

Në oborrin e shtëpisë së Ahmetëve në fshatin Rezallë të Komunës së Skenderajt, vrimat e granatës ende nuk janë mbyllur. Bahri Ahmeti thotë se i ka lënë ashtu qëllimisht, si dëshmi. Më 11 shtator të 1998-ës, aty u plagosën disa anëtarë të familjes dhe u vra Leutrim Ahmeti, shtatë vjeçar.

Ditën kur u vra Leutrimi, familja po përgatitej të largohej nga shtëpia. Ofensiva kishte filluar dhe granatat po binin shtëpi-më-shtëpi. Familjarët ishin porositur nga kryefamiljari, Malush Ahmeti, që në rast të ofenzivave të largoheshin menjëherë nga shtëpitë e tyre. Malush Ahmeti ndodhej në zona dyluftimi në malet e Rezallës. Nëna e Leutrimit po nxirrte gjëra nga shtëpia për t’i marrë me vete dhe për t’u larguar me anëtarë të tjerë të familjes me traktor.

Granata e parë vrau, Vjollcën 4 vjeçare, të cilën serbët e kishin varrosur në arën me misër, pak më larg shtëpisë, plagosi rëndë vajzën 18-vjeçare, Fatmire Ahmetin, plagosi Shpresa Ahmetin, si dhe Brahim Ahmetin.

Leutrimi ndodhej në oborr, teksa nëna e tij po dilte nga dera e sallonit të shtëpisë.

Bahri Ahmeti, vëllai i Leotrim Ahmetit, ku në prapavijë shihen copat e granatas të cilat s’i ka mbyllur ende në shenjë kujtimi

Motra e tij, Fatmirja, u plagos nga copat e granatës.

“I ka shenjat hala, bile copat e granatës hala në kamë i ka”, rrëfen Bahri Ahmeti.

Për shkak të granatave të rëna në oborrin e familjes Ahmeti, ishin jo-funksionalizuar të gjitha mjetet transportuese në oborr. Leutrimi ishte nisur me nënën për dore në këmbë drejt shkollës, kur familja po përpiqej të largohej nga zona e granatimit.

“Hajde, hajde, gutu”, i kishte thënë nëna. Leutrimi ishte ndalur. “Oj nanë”, kishte thënë ai, rrëfen Bahriu, “ndal mos u ngut se edhe unë kam diçka në bark”. Kur nëna ia kishte ngritur xhemperin, kishte vërejtur se Leutrimi kishte marrë plagë nga granata në pjesën e barkut. “Tha veç nisën organet me i dalë jashtë”, thotë Bahriu, duke cituar fjalët e nënës së tij.

Leutrim Ahmeti dhe të tjerë të plagosur nga ofenziva ushtarake serbe në drejtim të civilëve ishin dërguar për në fshatin Likoc për dhënien e ndihmës së parë. Më pas, Leutrimi ishte dërguar në spitalin ushtarak të fshatit Gradicë.

Bahri Ahmeti, para momentit kritik, ndodhej në front lufte me babain e tij, Malush Ahmetin dhe Ahmet Zabelin.

“Baba më tha te koka bë diçka poshtë në oborr tonin”, rrëfen ai, teksa bën të ditur se s’ishin në dijeni për tragjedinë që kishte ndodhur për shkak të pamundësisë që t’i afroheshin shtëpisë së tyre.

Pasi ishte nisur në këmbë në drejtim të Polluzhës, Bahria kishte hipur në një veturë me të plagosur për të arritur në drejtim të Gradicës.

Bahria bën të ditur se ishte vëllai i tij, Bedriu, që i kishte treguar se vëllai tjetër, Leutrimi, kishte ndërruar jetë. Ai thotë se në ato çaste humbi vetëdijen dhe tentoi t’i merrte vetes jetën.

“Dola thashë “Bedri, çka u bë?”, tha “vallahi Leutrimi ka ndërru jetë”. Aty tani mu më ka hup vetëdija, s’kom dit çka kom ba. I kam kap siguresat e bumës, kom desht veten me e mbytë. Më kanë kap ata, m’i kanë hjek bumet, automatat krejt prej veti”, thotë Bahriu.

Sot, pas afro tri dekadash, familja ende ruan kujtimet e Leutrimit. Në shtëpi kanë mbetur fotografitë, atletet dhe çorapet e tij si kujtim. Bahriu thotë se e kujton Leutrimin si të hareshëm dhe inteligjent. Thotë se çdo cep i oborrit ia kujton vëllain.

Atletet dhe çorapet e Leutrim Ahmetit, kujtim i familjes

“Kah ngajke, kah lujke me bicikletë… krejt më kujtohet. Vetë gjakun e ka pasë me t’shti me e deshtë”, thotë Bahriu për Leutrimin.

Leutrim Ahmeti është djali i dëshmorit, Malush Ahmeti, i cili ishte pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Tetë muaj pas vrasjes së Leutrimit, si luftëtar kishte rënë babai i tij Malush Ahmeti. Trupi i Leutrimit fillimisht ishte varrosur në Gradicë, në pamundësi që ta sjellnin në Rezallë.

Familjarët kishin shfrytëzuar një armëpushim përgjatë luftës për ta bërë rivarrimin e Leutrimit në Rezallë, vendin e tij të lindjes. Bahriu kujton se si babai i tij, Malush Ahmeti, po i thoshte se po e sheh në ëndërr “duke thënë o babë hajde merrëm” para rivarrimit.

“Baba më thoshte nuk po mundem gjumin si gjumë me e bë, se po e shoh Leutrimin në ëndërr duke me thënë, “o babë, hajde merrum”. Kështu që baba tha “deri te bi Leutrimin në vend temin, gjumin si gjumë nuk po mundëm ta bëj”…. dhe e kemi pru e kemi varros [në Rezallë]”, rrëfen Bahriu.

Malushi kishte lënë amanet që të varroset pranë të birit të tij, Leutrimit. Sot trupi i tij pushon pranë të birit.

Varri i Malush dhe Leutrim Ahmetit pranë njëri-tjetrit në fshatin e lindjes, në Rezallë

Leutrimi para ofenzivës ushtarake serbe kishte filluar t’i vijonte mësimet në shkollën e fshatit, e cila sot mban emrin e babait të tij, Malush Ahmetit. Në pllakën përkujtimore, pranë emrit të Leotrimit si nxënës figurojnë edhe nxënës të tjerë të vrarë në luftë: Xufë dhe Elfie Ahmeti, Lulver Deliu dhe Burim Zabeli.

Po ashtu, në pllakën përkujtimore ku kanë mbetur të vrarë janë mësimdhënësit: Hajdin Aruqi, Isuf Aruqi, Isuf Rukolli dhe Tafil Kabashi, si dhe Rexhep Rukolli, punonjës teknik.

Në bazë të dhënave të Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë (HLC), nga më shumë se 13 mijë të vrarë gjatë luftës së fundit në Kosovë, mbi dhjetë mijë janë viktima civile. Prej tyre, mbi një mijë janë fëmijë.

Më 2019-ën, HLC kishte hapur një ekspozitë me emrin “Na ishte një herë që kurrë mos qoftë”, në kujtim të fëmijëve të vrarë gjatë luftës në Kosovë.

Krimet e kryera në Rezallë, gjykimi në mungesë dhe mungesa e drejtësisë

Në fshatin Rezallë të Skenderajt janë regjistruar 98 civilë të vrarë përgjatë luftës në Kosovë. Më 5 prill 1999 serbët i rrethuan shtëpitë e familjeve të fshatit Rrezallë dhe vranë 44 civilë shqiptarë, në një vend të vetëm.

Viktimat u ekzekutuan në kodrën e lartë, në hyrje të lagjes së kodrave, ku sot ndodhet përmendorja në nderim të viktimave të kësaj masakre. Trupat e viktimave shqiptare, sipas rrëfimit të banorëve përreth, ishin mbuluar me rërë duke u shtresëzuar dy herë dhe ishin dërguar në Rudnicë dhe Kizhevak. Kjo, për t’i fshehur gjurmët e krimeve.

Nga 54 viktimat e zhvarrosura, gjatë vitit 2014, në Rudnicë, mbetjet mortore të 29 prej tyre ishin të viktimave të masakrës së Rrezallës. Ndërsa nga varreza masive në Kizhevak, gjatë zhvarrimeve gjatë vitit 2021, ishin zhvarrosur mbetjet mortore edhe të viktimave tjera të masakrës së Rrezallës, pra edhe 7 viktimave.

Sipas Fondit për të Drejtën Humanitare, masakra e Rrezallës është kryer nga ish Ushtria Jugosllave (Brigada e Motorizuar 37, që e kishte bazën në Rashkë dhe njësitet tjera ushtarake dhe policore serbe).

Familjari i një prej të vrarëve në masakrën e Rrezallës, Rrustem Rukolli kishte ngritur aktpadi më 2016-ën në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës ndaj Dejan Randeloviqit, komandant i Brigadës së 37-të të Motorizuar të Ushtrisë Jugosllave dhe Ljubisha Dikoviqit, komandantin e atëhershëm të batalionit të dytë të së njëjtës brigadë, duke i bërë përgjegjës për këtë masakër.

Bahri Ahmeti thotë se as ai e as ndonjë pjesëtar i familjes të të vrarëve në Rrezallë nuk kanë marrë ndonjë thirrje nga organet e drejtësisë.

“Hala asnjë s’u dalë asnjë gjykatë, asnjë prokuror që me thanë me marrë dikë e me e gjyku… Dëshmi kemi, janë tre që i kanë shpëtu Masakrës së Rezallës. Njëri na u ka vra në luftë apet. Njëri Misim Deliu, deri para pesë gjashtë vjete edhe ai u dek nga natyra, shkaku i moshës. Është edhe një djal i Rukollëve, ai është ende gjallë”, deklaron Ahmeti.

Ndryshimet e miratuara në vitin 2021 në Kodin e Procedurës Penale të Kosovës kanë mundësuar gjykimin në mungesë të krimeve të luftës. Kjo formë gjykimi zhvillohet pa prezencën e të akuzuarit.

Gjykimet në mungesë kryesisht po zhvillohen për shkak të pamundësisë që të akuzuarit për krimet lufte të sillen para trupit gjykues. Të akuzuarit që kanë kryer krime lufte në të shumtën e rasteve ndodhen në Serbi, shtet ky me të cilin Kosova nuk ka marrëveshje ekstradimi e as bashkëpunimi në fushën e drejtësisë.

Në fund të dhjetorit të 2025-ës, Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj 21 personave për masakrën në Reçak, kur u vranë 45 civilë më 15 janar 1999.

ShënimKy shkrim është produkt i Akademisë për raportimin në fushën e Ballafaqimin me të Kaluarën (BmK) dhe Gazetarinë e Sensibilizuar për Konflikte, implementuar nga Pro Peace -Programi në Kosovë dhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës – AGK. Pikëpamjet e shprehura në këtë shkrim janë përgjegjësi e gazetarit/gazetares dhe ato në asnjë mënyrë nuk pasqyrojnë pikëpamjet e Pro Peace dhe AGK-së.

/GazetaKosova/

- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - spot_imgspot_img

Te Veqanta

Social Media

- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING - Vipa Chipsspot_img

Lajmet e Fundit