Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, në një intervistë për “Politiko”, ka folur lidhur me zhvillimet politike dhe fushatën zgjedhore të 7 qershorit.
Fillimisht, ai theksoi se zgjedhjet nuk ishin të nevojshme, pasi, sipas tij, qytetarët e kishin dhënë përgjigjen e tyre më 28 dhjetor.
Megjithatë, Kurti paralajmëroi opozitën se, meqenëse nuk mjaftuan 51 për qind e votave, partia e tij do ta thellojë edhe më shumë rezultatin më 7 qershor.
“Zgjedhjet duhet të mbahen një herë në katër vjet dhe jo dy herë brenda vitit. Pajtohem se këto zgjedhje ishin të panevojshme, sepse rezultati i 28 dhjetorit ishte i qartë. Mirëpo, nëse 51.1 për qind nuk mjafton, atëherë më 7 qershor duhet ta thellojmë diferencën në mënyrë që institucionet të funksionojnë.
Më duhet të theksoj se Qeveria e Kosovës nuk ka më pak punë tani. Edhe më tej, më shumë se gjysmën e kohës në veturë dhe në telefon e kaloj duke u marrë me çështjet e qeverisë, në bashkëpunim me ministrat dhe në komunikim me kolegët nga ekzekutivi”, u shpreh kryeministri në detyrë, Albin Kurti.










