Ministri i Infrastrukturës, Dimal Basha ka bërë ditur me anë të një postimi se nga dje ka filluar pastrimi i autostradësn “Ibrahim Rugova”, në segmentin Suharekë-Prizren, nga rrëshqitja e dheut.
Ka kaluar kohë e gjatë që ky problem ka bërë bujë, por deri më tani nuk ishte ndërmarrë asnjë hap.
Basha ka fajsuar OSHP-në për zvarritje të kontratës. Sipas tij, sikur OSHP të ishte më efektive, ky problem do ishte sanuar me kohë.
Postimi i plotë:
Të dashur qytetarë,
Nga dje ka filluar pastrimi i rrëshqitjeve të dheut në Autostradën “Ibrahim Rugova”, në segmentin Suharekë–Prizren.
Ministria jonë e ka hartuar projektin për sanimin e skarpateve dhe kontrata është dhënë më 10 prill 2026. Megjithatë, për shkak të ankesave, ky projekt po mbahet në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OShP), përtej çdo afati të arsyeshëm.
Sikur OShP-ja të ishte më efikase dhe të mos kishte zvarritje të panevojshme, sot projekti i sanimit do të ishte duke u realizuar, ndërsa qytetarët nuk do të përballeshin me dhe e rrëshqitje në rrugë.
Autoudha po pastrohet nga rrëshqitjet e dheut, dhe qytetarët i falënderojmë për mirëkuptimin dhe durimin e treguar për këto vonesa të shkaktuara, pa fajin tonë.
Siguria e qytetarëve mbetet prioriteti ynë kryesor dhe nuk do të ndalemi së intervenuari aty ku ka rrezik për qarkullimin dhe jetën e tyre.









