Një defekt teknik në aeroportin e Cyrihut (Kloten) është shndërruar në një makth të vërtetë për dhjetëra pasagjerë kosovarë që po udhëtonin drejt Prishtinës. Gazeta e madhe zvicerane Blick ka pasqyruar në detaje tmerrin e udhëtarëve, të cilët mbetën të bllokuar për orë të tëra në pistë dhe në terminal, pa marrë as shërbimet më minimale bazë.
Sipas raportimit të mediave zvicerane, fluturimi i kompanisë Chair Airlines drejt Prishtinës pësoi një problem me mbylljen e derës së avionit sekonda para nisjes. Ajo që nisi si një vonesë rutinë teknike, degjeneroi në një kaos të vërtetë menaxhues:
Pasagjerët, mes të cilëve fëmijë dhe të moshuar, u mbajtën brenda në kabinë në pistë pa asnjë shpjegim të qartë apo informim nga ekuipazhi, shkruan Blick.
Dëshmitarët e ngjarjes rrëfyen për Blick se gjatë kohës së bllokimit nuk u ofrua asgjë. “Na lanë për orë të tëra pa ujë e pa asnjë gjë elementare”, u shprehën udhëtarët e revoltuar, raporton Insajderi.
Pasi u kthyen mbrapsht në terminal, udhëtarët pritën përsëri pa informacione të sakta. Kompania u dha atyre nga një vauçer prej vetëm 15 frangash, gjë që u cilësua si “shaka” dhe fyerje përballë çmimeve të larta që kosovarët paguajnë për këto bileta, raporton Insajderi.
Kompania Chair Airlines u mbrojt duke thënë se rregullat e sigurisë gjatë kontrolleve teknike në pistë nuk lejonin shpërndarjen e ushqimit, por ky arsyetim nuk i ka zbutur reagimet e ashpra të pasagjerëve.
Në vitin 2019, biznesmenja shqiptare Leyla Ibrahimi-Salahi, e njohur si CEO e agjencisë gjigante Air Prishtina, bëri një lëvizje strategjike në tregun zviceran të aviacionit. Përmes kompanisë së saj investuese Albex Aviation, ajo bleu paketën e shumicës së aksioneve të ish-kompanisë zvicerane Germania Flug.
Pas kësaj blerjeje, kompania pësoi një transformim të plotë:Ribrendimi.
Emri u ndryshua në Chair Airlines. Leyla Ibrahimi mori pronësinë e mbi 50% të aksioneve, duke u bërë figura kryesore, ndërsa pjesa tjetër e aksioneve iu shit kompanisë polake të fluturimeve charter, Enter Air.
Air Prishtina si agjenci shet biletat për diasporën, ndërsa Chair Airlines (në pronësi të së njëjtës familje) kryen fluturimet fizike drejt Prishtinës dhe Shkupit.









