Qeveria në detyrë e Republikës së Kosovës ka zhvilluar sot mbledhje të rregullt, në të cilën ka:
· Miratuar Raportin vjetor mbi Inspektimet. Raporti pasqyron angazhimin e vazhdueshëm për fuqizimin e sistemit inspektues, rritjen e efikasitetit, profesionalizmit dhe proporcionalitetit të inspektimeve, si dhe avancimin e koordinimit ndërmjet organeve inspektuese në nivel qendror dhe lokal.
· Miratuar vendimin për emërimin e Komisionit të Pranimit për pozitën e kategorisë së lartë drejtuese: Drejtor Ekzekutiv i Agjencisë së Investimeve dhe Eksportit.
· Miratuar kërkesën për shpalljen me interes publik për bartjen e pronës komunale, në pronësi të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit për zhvillimin e Parkut Industrial dhe Teknologjik në Komunën e Gjilanit.
· Miratuar kërkesën për ndarjen e mjeteve buxhetore në shumë prej 1,000,000.00 € (një milion euro) për zbatimin e Masës 3.4 – Kuponë ushqimi për familjet në nevojë, në kuadër të Pakos së Ringjalljes Ekonomike.
· Miratuar vendimin për emërimin e Komitetit për Partneritet Publiko-Privat.
· Miratuar vendimin për shqyrtimin e mëtejmë të kërkesës së Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit për shpronësim për interes publik të pronave ish shoqërore ”Virgjinia” dhe “Metaliku” që janë nën menaxhimin dhe administrimin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit, të cilat preken nga ndërtimi i “Zonës Industriale” në Komunën e Gjakovës.
· Miratuar vendimin për Pakon për Përballje me Inflacionin 2.0, me masat si në vijim:
Mbështetje të njëhershme për përfituesit e skemave pensionale,
Mbështetje të njëhershme për të gjithë fëmijët, që janë përfitues të skemës së shtesave për fëmijë,
Për të gjithë të punësuarit, të deklaruar në muajin prill, me të ardhura mujore më pak se 1000 euro, që nuk janë në listën e pagave që paguhen nga buxheti i shtetit. Këtu është sektori privat dhe sektori tjetër, publik, por që është jashtë organizatave buxhetore, përfshihen shoqëria civile, por edhe ndërmarrjet publike dhe organizatat tjera, si dhe;
Për të gjithë studentët aktivë dhe të rregullt në vitin akademik 2025/2026 në institucionet e arsimit të lartë në Kosovë, që përmbushin kriteret për përfitim sipas këtij vendimi.









