Një studim i ri shkencor ka zbuluar se si kohëzgjatja e gjumit ndikon drejtpërdrejt në procesin e plakjes biologjike, duke treguar se as gjumi shumë i shkurtër dhe as ai shumë i gjatë nuk janë të shëndetshëm për organizmin.
Hulumtimi, i publikuar në revistën “Nature”, u bazua në të dhënat e afro gjysmë milioni pjesëmarrësve nga UK Biobank dhe arriti në përfundimin se rreth 7 orë gjumë në natë lidhen me shenja më të ulëta të plakjes biologjike.
Sipas studiuesve, personat që flenë më pak se 6 orë ose më shumë se 8 orë kanë më shpesh shenja të përshpejtimit të plakjes, ndërsa diapazoni 6.4 deri në 7.8 orë rezulton më optimal për shëndetin e përgjithshëm.
Plakja biologjike përshkruan rënien graduale të funksioneve të trupit dhe rritjen e rrezikut për sëmundje, duke u vlerësuar përmes analizave të avancuara të gjakut dhe inteligjencës artificiale.
Studiuesit theksojnë se gjumi nuk është i vetmi faktor që ndikon në plakje, por është një tregues i rëndësishëm i shëndetit të përgjithshëm. Gjumi i pamjaftueshëm është lidhur me depresionin, diabetin tip 2, hipertensionin dhe sëmundjet kardiovaskulare, ndërsa edhe gjumi i tepruar lidhet me disa çrregullime kronike.
Ekspertët rekomandojnë krijimin e një rutine të rregullt gjumi, shmangien e ekraneve para gjumit dhe reduktimin e kafeinës në orët e vona, për një cilësi më të mirë të pushimit dhe shëndet më të mirë afatgjatë.









