Prokuroria Themelore në Prishtinë dhe Policia e Kosovës arrestuan të martën shtatë persona të nacionalitetit serb në Komunën e Graçanicës, të dyshuar për kërcënime, presion dhe shantazh ndaj votuesve serbë para zgjedhjeve parlamentare të 7 qershorit, përkatësisht në ndrydhjen e vullentit të tyre të lirë demokratikë dhe presionin për të votuar për Listën Serbe, që mbështetet nga Beogradi.
Prokuroria Themelore në Prishtinë njoftoi se pesë prej tyre janë ndaluar zyrtarisht nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Cenimi i përcaktimit të lirë të votuesve”, sipas nenit 210 të Kodit Penal të Kosovës.
“Janë siguruar deklarata dhe prova të mjaftueshme”, njoftoi Prokuroria, duke shtuar se mbetet “e përkushtuar në mbrojtjen e integritetit të procesit zgjedhor”.
Kryeministri në detyrë Albin Kurti e cilësoi fenomenin si “terror të Beogradit” mbi serbët e Kosovës.
“Ky është fenomen që ka marrë përmasa të mëdha prej kohës që unë jam kryeministër. Kurr nuk ka pas më shumë kërcënime, shantazhe”, deklaroi Kurti.
Ai shtoi se trysnia synon t’i detyrojë serbët e Kosovës “patjetër ta votojnë Listën Serbe”, ndërsa Serbia “vazhdimisht mundohet të ketë elemente të saj që të krijojë dualizma brenda territorit tonë”.
Ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla e mirëpriti veprimin e institucioneve, duke thënë se aktet e tilla “burojnë nga direktiva të orkestruara nga Serbia”.
“Institucionet e Republikës së Kosovës do të veprojnë me vendosmëri ndaj çdo përpjekjeje për të frikësuar qytetarët”, theksoi Sveçla.
Ambasada gjermane në Prishtinë reagoi menjëherë.
Zëdhënësi Payam Ghalehdar deklaroi për RTV21 se “është thelbësore të mos ndërhyhet në procesin e formimit të vullnetit qytetar”.
Ai u bëri thirrje të gjithë qytetarëve të Kosovës të shprehin vullnetin e tyre “në mënyrë të informuar dhe të vetëdijshme”.
Ndërkaq, partia e Ministrit Nenad Rashiq, , hodhi poshtë akuzat se ai urdhëroi aksionin policor.
Sipas deklaratës së tyre, “Ministri Rashiq nuk ka kompetencë të urdhërojë aksione policore dhe as të ndikojë në punën e prokurorisë”.
Partia e Rashiqit e quajti “të turpshme dhe të papërgjegjshme” tentativën e Listës Serbe për t’i paraqitur të arrestuarit si të pafajshëm para përfundimit të procedurës.
“Pikërisht ata, vite me radhë kanë ushtruar presion mbi qytetarët, punonjësit e institucioneve dhe votuesit”, thuhet në njoftim.
Për shtatë personat e ndaluar është caktuar paraburgim policor 48-orësh, raportoni Radio KiM.
Pas arrestimeve, janë organizuar protesta në Lipjan dhe Graçanicë.









