Ministri i Punëve të Jashtme në detyrë, Glauk Konjufca, ka tentuar të sqarohet për termin “frizerkë”, pas pyetjes tendencioze që ia bëri një mbështetës i Lëvizjes Vetëvendosje përgjatë një tubimi në Ferizaj, duke aluduar në Vjosa Osmanin.
Konjufca me një reagim në rrjetin social ‘Facebook’ ka thënë se një “pseudogazetar” ia ndërpreu fjalën dhe e përdori termin “frizerkë”.
“Në një tubim në Ferizaj, një pseudogazetar më ndërpreu dhe e përdori termin ‘frizere’. Pyetjen as që e dëgjova saktë për shkak të zhurmës dhe artikulimit. Ky term më pengoi dhe ia sqarova atij se shumë vajza e gra në popullin tonë e bëjnë këtë punë fisnike dhe e mbajnë familjen e tyre. Gjithashtu ia shpjegova se pikërisht për këtë shkak ky profesion është përfshirë edhe në programin e arsimit dual të inauguruar nga qeveria. Pra, diskutimi im pati vetëm një qëllim specifik: vërejtjen time që një term i tillë të mos përdoret në mënyrë përçmuese”, deklaroi Konjufca.
“Asnjë diskutim imi nuk ka pasur të bëjë me Presidenten Osmani. Mediat qëllimkëqija, për kushedi çfarë kalkulimesh, e prenë vetëm termin ‘frizere’ dhe më pas ndërtuan rrëfimin e tyre të paqenë. Të gjithë ata që më njohin, e edhe vetë znj. Osmani, me të cilën kam bashkëpunim të gjatë dhe respekt të ndërsjellë, të cilin e ruaj edhe sot, e dinë qasjen time në politikë”, ka thënë më tej ai.
“Për çdo rast, të gjithë atyre që ky konstrukt i inxhinieruar i luftës speciale i ka lënduar, u kërkoj ndjesë”, përmbyll Konjufca.
Megjithatë, personi që ia parashtroi Konjufcës pyetjen haptazi shpreh mbështetjen për Lëvizjen Vetëvendosje. Madje, iu është lajmëruar Konjufcës në koment, duke kritikuar mediat dhe duke i kërkuar falje atij.
“Shume sakte i nderuar por i kan shkelmat e fundit pa merak rrik shume i qart ke qen ti Respekt e VVazhdojme.. me fal nese tkam bo mu ndi keq sepse portalet e ish pushteteve kete pune kan!”, ka deklaruar mbështetësi i VV’së.









