Drejtori i Institutit të Kosovës për Kërkime dhe Zhvillim të Politikave, Lulzim Peci, e kritikoi Memorandumin e publikuar, duke e konsideruar se ai në fakt shënon idiotizmin 2.0 të shovinizmit serb.
Ai tha se tani është e qartë pse, sipas tij, Perëndimi nuk i ka mbështetur protestat studentore në Serbi.
“Memorandumi i studentëve serbë për Kosovën, i miratuar në Kragujevc, shënon idiotizmin 2.0 të shovinizmit serb. Gjithçka që ndodhi në Kragujevc e ka dëshmuar nga fillimi deri në fund pse Perëndimi nuk i ka mbështetur protestat e tyre”.
Më pas ai tregoi se një zyrtar i lartë perëndimor i kishte thënë në një bisedë private se ata janë një kombinim i nazistëve dhe stalinistëve.
“Një zyrtar i lartë perëndimor me të drejtë tha para disa kohësh në një bisedë private se ata janë një kombinim i nazistëve dhe stalinizmit”, ka thënë Peci.
Ai ka thënë se gabimi më i madh që mund ta bëjnë tani gjeneratat e reja të shqiptarëve në Kosovë është të kundërpërgjigjen.
“Gabimi më i madh që shqiptarët në Kosovë, veçanërisht gjeneratat e reja, mund të bëjnë është të kundërpërgjigjen me nacionalizmin e vonuar të studentëve serbë”.
Ai këshilloi që ata duhet të jetojnë një të ardhme të bazuar në vlera liberal-demokratike dhe në diversitet etnik.
“Askush nuk duhet ta marrë të keqen si pikë referimi për ndërtimin e së nesërmes së tij!”, ka përfunduar Peci.









