Thirrjeve për mbësthetje të studentëve të Maqedonisë së Veriut, u ka dalë edhe ish-presidentja e Kosovës Vjosa Osmani.
Ajo ka publikuar pankartën e protestës me një mbishkrim në të.
“Gjuha shqipe është e shenjtë! Ngrihu në mbrojtje të saj!”, ka shkruar Osmani në Facebook.
Studentë shqiptarë nga Maqedonia e Veriut, Kosova, Shqipëria dhe vise të tjera shqiptare do të mblidhen sot në Shkup për të protestuar kundër mosrealizimit të provimit të Jurisprudencës në gjuhën shqipe.
Protesta organizohet si reagim ndaj mbajtjes së provimit vetëm në gjuhën maqedonase, ndonëse gjuha shqipe gëzon status zyrtar në vend.
Organizatorët kanë bërë thirrje për pjesëmarrje masive, duke theksuar se mbrojtja e të drejtës për përdorimin e shqipes në institucionet dhe proceset profesionale është çështje dinjiteti dhe barazie.
Tubimi do të mbahet nën moton “Bashkohuni me studentët – të gjithë një”, ndërsa nisja e protestës është paralajmëruar për në ora 16:30, te Ura e Gurit.
“Në mbrojtje të gjuhës sonë, të gjithë bashkë para Urës së Gurit”, thuhet në thirrjen e studentëve.
Pjesëmarrjen në protestë e ka konfirmuar edhe Parlamenti Studentor i Universiteti i Prishtinës, i cili u ka bërë thirrje studentëve dhe qytetarëve që të solidarizohen dhe të marrin pjesë në këtë organizim.









