Kandidati për deputet nga Lëvizja Vetëvendosje, Osman Musliu, ka publikuar një mesazh emocional dhe politik në kuadër të fushatës zgjedhore, ku ka kujtuar periudhat më të vështira para, gjatë dhe pas luftës në Kosovë.
Musliu ka thënë se gjithmonë ka qëndruar “mes njerëzve”, duke theksuar se nuk vjen nga karriera politike, por nga shërbimi ndaj qytetarëve.
“Nuk vij nga karriera. Vij nga shërbimi. Nuk kam heshtur kur nevojitej fjala e nuk kam lëshuar pe kur kërkohej vendosmëria”, ka shkruar ai.
I plotë:
Të dashur,
Kam qëndruar aty ku qëndrohet më së vështiri — mes njerëzve.
Para luftës, kur frika ishte gjuhë e përditshme.
Gjatë luftës, kur më afër e kishim vdekjen sesa lirinë.
Pas luftës, kur liria donte formë e drejtim.
Kundër atyre që e përdorën fenë për para e pushtet – kundër atyre që e fajësuan fenë për qëllimet e tyre.
Nuk vij nga karriera. Vij nga shërbimi.
Nuk kam heshtur kur nevojitej fjala e nuk kam lëshuar pe kur kërkohej vendosmëria.
Nuk premtoj ndryshim. Kërkoj mundësi të vazhdoj atë që kam bërë gjithmonë — të jem vetvetja e zëri juaj.
Busulla nuk pyet kush je — thjesht tregon veriun.
Është cilësia kryesore e saj.
Busulla e shqiptarëve ka treguar gjithmonë nga veriu — jo për drejtim, por për paralajmërim rrëziku e përballje.
Vazhdojmë, ecim duke ndjekur shenjat e busullës shqiptare.
89 – Osman Musliu









