Lëvizja Vetëvendosje mbrëmë edhe zyrtarisht ka publikuar listën e kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e 7 qershorit. Ndër emrat më të komentuar të momentit në këtë listë është edhe imami në xhaminë e Drenasit, hoxhë Osman Musliu.
Ky i fundit mbrëmë para se të publikohej lista, e konfirmoi edhe vetë aderimin e tij, teksa në profilin zyrtarë publikoi numrin me të cilin garon.
Qysh në minutat e parë, përdoruesit e rrjetit “Facebook” vërshuan ballinën e tij. Ndjekës të shumtë të hoxhës, shprehën qëndrimet e tyre lidhur me futjen e tij në politikë dhe zgjedhjen e partisë.
Ndonëse disa i uruan suksese në këtë rrugëtim, shumë të tjerë e cilësuan si hap tejet të gabuar e të papritshëm.
Madje pati nga ata që e interpretuan politikën edhe në aspektin fetar, duke e konsideruar mëkat.














