Gazetari shqiptar Çim Peka ka kritikuar sërish kryeministrin Albin Kurti dhe Lëvizjen Vetëvendosje, duke thënë se po i mundësojnë Serbisë përdorimin e “dy armëve historike” kundër Kosovës.
Sipas Pekës, Serbia historikisht ka tentuar ta paraqesë Kosovën si të paaftë për shtetformim dhe njëkohësisht ta lërë pa aleatë ndërkombëtarë.
“Dy armë ka përdorë Serbia historikisht kundër Kosovës: Nuk janë shtet formues dhe t’i lërë pa aleatë”, shkroi ai në Facebook.
Ai tha se, sipas tij, VV-ja po kontribuon në këtë narrativë përmes pamundësisë për të formuar institucionet dhe përmes përplasjes me presidenten Vjosa Osmani.
“Të parën po ua mundëson partia fituese me pamundësinë për të formuar institucionet dhe zgjedhjet e njëpasnjëshme. Të dytën serish po ua mundëson partia fituese duke eliminuar të vetmen kandidate që i kishte votat për presidente”, tha Peka.
Ai pretendoi se Osmani ishte bërë “zëri dhe veshi i Donald Trump në rajon”, duke shtuar se ajo “e mbrojti republikën nga Kurti”.
Në fund, Peka ngriti edhe një pyetje lidhur me raportet me SHBA-të.
“Kur SHBA e Biden donte të shpallte të gjithë qeverinë e Kosovës non grata, a ishte ndërhyrja e Presidentes Osmani që e parandaloi?”, shkroi ai.









