Trendi i largimit të infermierëve po rrezikon sistemin shëndetësor në Kosovë

Kryetarja e Odës së Infermierëve, Mamive dhe Profesionistëve të tjerë Shëndetësorë të Kosovës, Nexhmije Gori, ka ngritur shqetësimin për largimin masiv të infermierëve dhe profesionistëve shëndetësorë nga vendi, duke paralajmëruar se Kosova në të ardhmen mund të përballet me mungesë serioze të stafit shëndetësor.

Gori tha se në një të ardhme Kosova mund të mbetet pa infermierë.

“Sigurisht që largimi i profesionistëve shëndetësor është shqetësim jashtëzakonisht i madh, jo vetëm për infermierët, mamitë edhe profesionistët e tjerë shëndetësor por për të gjithë vendin. Në një të ardhme ne mund të mbesim pa infermierë apo staf të patrajnuar apo me përvojë ngase infermieria kosovare sot po merr rrugët e largimit, apo destinacionet në vendet ku po ka kushte më të mira, edhe paga më të mira. Ne si njerëz natyrisht çdo njëri punojmë për kushte edhe një jetë sa më të qetë”, tha Gori.

Gori tha se Oda e Infermierëve ka nënshkruar marrëveshje me një avokat për përfaqësimin ligjor të komunitetit në kontestet e punës dhe çështjet gjyqësore, ndërsa së fundmi është arritur edhe një marrëveshje për sigurime të jetës dhe sigurime shëndetësore për infermierët dhe profesionistët shëndetësorë.


“Ne si Odë po ndërmarrim masa jashtëzakonisht të mëdha vitet e fundit për t’i motivuar ata që të shërbejnë në vendin tonë. Për shembull, tanimë kemi nënshkruar marrëveshjen me një avokat, i cili do t’i përfaqësojë të gjithë komunitetin tonë në kontestet e punës, pra kur kanë ndonjë shqetësim apo ndonjë punë me gjykatat. Kemi nënshkruar me një nga kompanitë më të mëdha të vendit dhe rajonit, sigurimin e jetës dhe sigurimet shëndetësore për komunitetin tonë, çka është për t’u krenuar që po ndodh diçka për herë të parë në vendin tonë. Përveç kësaj, po punojmë edhe në edukimin e vazhdueshëm profesional, në avancimin e tyre, por a mjafton kjo? Sigurisht që për infermierinë duhet punë shumë më shumë: kushte më të mira pune për të ulur pra numrin e madh të të papunësuarve, se ne e dimë që është edhe mungesë e stafit nëpër institucione shëndetësore, dhe paga, vend më shumë në vendimmarrje, në borde, dhe shumë gjëra të tjera të cilat do të ishin motiv që infermieria kosovare mos të largohej nga vendi ynë”, tha ajo.

Gori ngriti shqetësimin edhe për moskompensimin e infermierëve që punojnë gjatë vikendeve dhe festave zyrtare, duke thënë se ndryshe nga stafi tjetër shëndetësor, infermierët shpesh nuk paguhen për ditët shtesë.

“Mos të themi që punojnë pa orar, por ne e dimë që puna e infermierit është e stërngarkuar. Janë orët apo turnet e natës jashtëzakonisht të rënda, është gjendja e pacientëve dhe është punë goxha e rëndë edhe psikikisht, edhe fizikisht. Natyrisht, është për keqardhje që infermieria kosovare nuk paguhet gjatë vikendeve dhe sigurisht që kjo është për t’u shqetësuar. Nëse ekipi tjetër po paguhet për festat kur po iu bie, ose për shembull me 9 majin tash kur është festë, mjekët dhe stafi tjetër paguhen edhe me 11-in kur lidhet festa, kurse infermieria jo. Dhe kjo është një shqetësim jashtëzakonisht i madh ngase brenda një institucioni po bëhen dallime të theksuara. Ndërsa për punën si infermier, natyrisht që ne jemi të atakuar 24 në 7 dhe është punë jashtëzakonisht e lodhur, e stërlodhur, por unë jam krenare për të gjithë infermierët dhe profesionistët e tjerë shëndetësorë sepse punojnë me dinjitet, përkushtim, empati dhe asnjëherë nuk e qesin veten para pacientit, por gjithmonë pacienti është në qendër”, tha ajo.

Në fund ajo shtoi se nuk është çështje vetëm e një institucioni, por duhet përmirësuar shumica prej tyre.

“Kjo nuk është çështje vetëm e një segmenti. Këtu duhen akterë më të shumtë, duke filluar nga qeveria, ministria, institucionet, ne vetë stafi, dhe ka vend për t’u përmirësuar. Nuk them që nuk ka përmirësime, mirëpo ka shumë vend krahas punës që ata e bëjnë për t’u përmirësuar edhe më tutje”, tha ajo për EO.

/GazetaKosova/

- MARKETING - Brusnik (Vushtrri)spot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - spot_imgspot_img

Te Veqanta

Social Media

- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING - Vipa Chipsspot_img

Lajmet e Fundit