Një incident i rëndë është raportuar në një sallon bukurie në São Paulo, Brazil, ku një kliente 27-vjeçare ka sulmuar me thikë një parukier pasi ishte e pakënaqur me rezultatin e trajtimit të flokëve.
Ngjarja ka ndodhur në sallonin “Casa Ferrare”, në zonën Barra Funda, ku sipas raportimeve, gruaja e identifikuar si Lais Gabriela Barbosa da Cunha fillimisht kishte dalë e kënaqur nga shërbimi dhe madje kishte bërë edhe vlerësime pozitive online.
Megjithatë, disa ditë më vonë ajo ka filluar të ankohet për rezultatin, duke kërkuar rimbursim dhe duke dërguar mesazhe kërcënuese në drejtim të sallonit.
Situata ka eskaluar kur ajo është kthyer në sallon dhe, gjatë një momenti kur parukieri Eduardo Ferrari po punonte me një klient tjetër, ka nxjerrë një thikë kuzhine nga çanta dhe e ka goditur në shpinë.
Policia ka ndërhyrë menjëherë pas ngjarjes dhe e ka ndaluar të dyshuarën, ndërsa thika e përdorur është sekuestruar në vendngjarje. Hetimet për rastin janë duke vazhduar.









