Pas eliminimit nga “Ferma VIP 3”, Fabjola Elezaj u shfaq në studio për intervistën e saj të parë, por momenti i mbërritjes u shoqërua me një skenë të ftohtë që nuk kaloi pa u vënë re nga publiku.
Sapo iu afrua prezantueses Arbana Osmani, Fabjola refuzoi fillimisht t’i jepte dorën. Ishte vet Arbana ajo që reagoi menjëherë, duke e thyer tensionin me një thirrje të drejtpërdrejtë: “Hajde mo, hajde”, ndërsa ia zgjati dorën dhe e përshëndeti, pavarësisht gjithçkaje që kishte ndodhur në spektaklin e kaluar.
Fabjola u eliminua pas një televotimi javor të hapur enkas për të, ku publiku ishte pyetur nëse ajo duhej apo jo të vazhdonte qëndrimin në fermë. Ky televotim u hap pas skandalit të së hënës, kur Elezaj i ishte drejtuar publikisht Arbanës në transmetim direkt me fyerjen “k*çkë”, duke shkaktuar reagime të shumta në rrjete sociale dhe diskutim të gjerë për gjuhën dhe etikën në format.
Në studio, Fabjola i kërkoi sërish falje prezantueses, por Arbana u shpreh se e kishte mbyllur menjëherë atë çështje. “Të kam falur që atë natë. Unë e kam mbyllur këtë kllapë që ti ke me mua”, i tha Arbana Osmanit.
Më pas, Fabjola u shpreh se e kishte pritur eliminimin, duke shtuar se sipas saj publiku do të reagonte në këtë mënyrë pas situatës së krijuar. Por ajo nuk u ndal me kaq: gjatë bisedës, Elezaj akuzoi produksionin se trajtimi i konkurrentëve brenda fermës nuk ka qenë i barabartë dhe se, sipas saj, ka pasur favorizime. Ajo pretendoi se disa prej fermerëve VIP kanë marrë informacion nga jashtë, duke përmendur edhe mikeshën e saj, Gresa Sekiraqa.
“Ne një moment Gresa vjen sot dhe më thotë që menaxheri më ka thënë t’i afrohem Mozës”, u shpreh Fabjola, duke lënë të kuptohet se jashtë fermës ka pasur orientime për lojën dhe marrëdhëniet mes banorëve. Arbana reagoi menjëherë, duke thënë se këtë situatë e kishte vënë re dhe se mezi pret ta diskutojë drejtpërdrejt me Gresën. “Po e kam parë dhe mezi po pres ta diskutojmë me Gresën këtë gjë”, tha Osmani.
Ajo shtoi se kishte parë edhe dronë që sipas saj i kishin shkuar Gresës, me mesazhe që përmendnin emra të ndryshëm, duke ngritur dyshime për ndikim nga jashtë.
“Unë i kam parë edhe dronat që i kanë shkuar Gresës dhe që thonin ‘Gresa–Moza’, ‘Gresa–Bujaka’, dhe kuptova që është një orientim që njerëzit e saj kanë dashur t’ia japin dhe mezi pres ta pyes”, u shpreh Arbana.
Megjithatë, prezantuesja ia kujtoi Fabjolës se edhe ajo, si shumë konkurrentë të tjerë, ka pasur informacione nga jashtë përmes mesazheve dhe mënyrave të ndryshme, duke theksuar se fenomeni nuk ka qenë i izoluar vetëm te një banor.
“Megjithatë, me thënë të drejtën, unë e di që informacionet vijnë dhe kanë ardhur edhe për ty, zemra ime, nga familjarët e tu… me ngjyrat e rrobave, e çave ua sjellin me dronat. Të shohim se si ia kanë çuar Gresës këto informacione menaxhmenti vet”, tha Arbana.









