Drin Ekrem Rexha thotë se emri dhe vepra e Komandant Drinit do të jetojnë “sa të ekzistojë shqiptaria”
Drin Ekrem Rexha ka përkujtuar babanë e tij, Ekrem Rexha, në 26-vjetorin e vrasjes së tij pas luftës, me një mesazh emocional dedikuar figurës së komandantit të UÇK-së.
Në postimin e tij, ai shkruan se mungesa e të atit bëhet çdo vit edhe më e madhe, por se krenaria për emrin dhe veprën e tij mbetet e përhershme.
“26 pranvera pa ty, babë… Por ti do të mbetesh përgjithmonë krenaria, forca dhe motivi ynë për të vazhduar përpara me kokën lart”, ka shkruar ai.
Drini ka theksuar se familja do të vazhdojë t’i realizojë ëndrrat dhe amanetin e Komandant Drinit.
“Ëndrrat dhe planet e tua do të realizohen një nga një. Këtë ta premtojmë me zemër, me nder dhe me krenari”, thuhet në mesazhin e tij.
Ai shton se, ndonëse fizikisht mungon, prania e të atit vazhdon të jetojë në çdo hap dhe sukses të familjes.
“Vepra jote ende flet për ty dhe do të na përcjellë gjithmonë sa ekziston shqiptaria”, ka shkruar ai.









