Një deklaratë e ish-deputetes së LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu, ka nxitur një reagim të ashpër nga ish-deputeti i VV-së, Agim Bahtiri.
Ky i fundit e ka paralajmëruar zyrtaren e LDK-së me padi për shpifje, pas pretendimeve të saj se ai kishte qenë në gjendje të dehur natën kur po negociohej për votat e Presidentit.
Lushaku-Sadriu, në një paraqitje televizive, e cilësoi sjelljen e Bahtirit të asaj nate si “teatër” dhe “joserioze”, duke shtuar se ai ishte “gjysmë i pirë” kur u kërkonte nënshkrimet.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Agim Bahtiri i është përgjigjur me tone të ashpra, duke i dhënë Lushakut dy mundësi: kërkim falje ose përballje ligjore.
“Shpifja jote se unë paskam qenë ‘gjysmë i dehur’ atë natë kur kam ardhur t’i kërkoj nënshkrimet, është e ulët dhe e turpshme, dhe për të duhet të kërkosh falje publike! Të akuzosh dikë pa asnjë fakt vetëm sepse nuk arrin ta fshehësh dështimin politik të LDK-së, tregon nivelin ku keni rënë,” shkroi Bahtiri.
Bahtiri insiston se prania e tij në Kuvend atë natë ishte për të gjetur zgjidhje për zgjedhjen e Presidentit, ndërsa ka akuzuar LDK-në për kalkulime nëpër korridore.
“Në mungesë votash dhe përgjegjësie, zgjodhët shpifjen dhe teatrin mediatik. Mjaft më me përralla e gënjeshtra, se populli ua ka treguar vendin me votë. Zonja Lushaku i ka dy rrugë, ose kërkon falje për shpifjen se kam qenë ‘gjysmë i dehur’ ose shihemi në gjykatë!” tha ai.









