Një ngjarje tronditëse ka ndodhur në Kretë, ku një 21-vjeçar mbeti viktimë e një vrasjeje që zanafillën e ka në një tragjedi të ndodhur tre vite më parë.
Viktima është Nikitas Gemistos, i cili u ekzekutua me armë zjarri në mes të rrugës në zonën e Amoudaras, në Heraklion. Sipas autoriteteve greke, autor i krimit është 54-vjeçari Kostas Parasiris, babai i shokut të tij që humbi jetën në një aksident automobilistik në vitin 2023.
Gjithçka nisi natën e 20 tetorit 2023, kur Nikitas, atëherë 18 vjeç, po udhëtonte me makinë së bashku me mikun e tij 17-vjeçar, Giorgos Parasiris. Automjeti doli nga rruga bregdetare dhe u përplas me forcë me një shtyllë ndriçimi.
Nga aksidenti, Giorgos pësoi plagë të rënda në kokë dhe ndërroi jetë pas 19 ditësh në terapi intensive në spitalin Venizelio. Edhe Nikitas mbeti i plagosur rëndë dhe qëndroi për një kohë të gjatë në spital.
Sipas mediave greke, 54-vjeçari nuk reshti kurrë së konsideruari Nikitasin si fajtor për humbjen e djalit të tij. Madje, 21-vjeçari kishte kërkuar që çështja të shkonte në gjykatë, me shpresën se babai i mikut të tij do të bindjej se ai nuk kishte përgjegjësi për aksidentin.
Por tre vite më pas, tragjedia mori një tjetër kthesë të rëndë. Sipas hetimeve, 54-vjeçari e qëlloi gjashtë herë 21-vjeçarin në mes të rrugës dhe më pas iu dorëzua policisë. Mediat lokale raportojnë se ai ka deklaruar para autoriteteve: “Bëra atë që duhej të bëja”.
Funerali i Nikitasit u mbajt në një atmosferë të rënduar emocionale në zonën e Mylopotamosit. Dhjetëra të afërm, miq dhe banorë të zonës morën pjesë për t’i dhënë lamtumirën e fundit 21-vjeçarit.
Momente tensioni u regjistruan edhe gjatë ceremonisë mortore, ku familjarët shpërthyen ndaj forcave të policisë, duke u kërkuar të largoheshin nga fshati. “Erdhët tani që e vranë”, dëgjohet të thonë të afërmit e viktimës.
Një nga momentet më prekëse ishte mesazhi i motrës së Nikitasit, e cila u bëri thirrje të gjithë pjesëmarrësve në funeral të visheshin me të bardha dhe jo me të zeza.
“Vishni rrobat tuaja më të bukura, sillni një lule, sillni një mandolinë… por jo një plumb”, shkroi ajo në rrjetet sociale, në një postim që preku mijëra njerëz në Greqi.









