Shtyrja e radhës e vendimit për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nga Dhomat e Specializuara të Kosovës ka nxitur reagime të ashpra nga Hysni Gucati.
Sipas Gucatit, shtyrja e vendimit deri më 20 korrik nuk është gjë tjetër veçse një vendim politik dhe një padrejtësi që, sipas tij, rëndon mbi historinë e Kosovës.
Ai ka kritikuar procesin në Hagë, duke thënë se që nga fillimi nuk është parë transparencë, paanshmëri dhe drejtësi e vërtetë, por vetëm, siç u shpreh ai, “montime të veshura me petkun e ligjit”.
Gucati thekson se, sipas tij, po tentohet të gjykohet liria, por liria nuk mund të prangoset, duke i cilësuar ish-krerët e UÇK-së si “burrat e mëdhenj të kombit” dhe simbol të sakrificës për ekzistencë.
Në fund, ai shprehet se vendimet mund të vonohen, por nuk mund të mposhtet e vërteta, duke shtuar se pastërtia e luftës së UÇK-së do të triumfojë mbi çdo proces dhe çdo gjykatë.









