Nëna e një 19-vjeçareje shqiptare, e cila humbi jetën tragjikisht më 14 prill 2026 në Argostoli, ka folur për marrëdhënien me të bijën, duke dhënë detaje tronditëse për ngjarjen.
Në dëshminë e saj për mediat greke, ajo e përshkroi Myrton si një vajzë të përulur dhe të sjellshme, e cila studionte për t’u bërë asistente mikrobiologe në një kolegj profesional në Argostoli.
Ajo tregoi se një natë para ngjarjes tragjike e dinte që Myrto do të dilte për një shëtitje të zakonshme me të dashurin e saj, pa asnjë shenjë se mund të ndodhte diçka e pazakontë. Duke u nisur për turnin e natës në spital, ajo tha se kishte parë makinën e tij jashtë shtëpisë, por nuk kishte komunikuar me të.
“Të hënën e Pashkëve, rreth orës 21:55, ishim në shtëpi të tre, me babanë e saj. Myrto doli nga dhoma dhe na pyeti nëse ishte veshur bukur. Folëm për rrobat e saj. E dija që do të dilte për një shëtitje me D. (i dashuri), por babai i saj nuk e dinte, pasi ishte shumë i rreptë dhe nuk i kishim treguar për lidhjen e saj. Ai ishte tepër mbrojtës ndaj saj, e telefononte vazhdimisht kur dilte, por Myrto kishte një dobësi të madhe për të. Atë natë dola nga shtëpia për të shkuar në punë, pasi punoj si infermiere dhe ndërsa po largohesha pashë makinën e D., që po priste Myrton, por nuk folëm fare me njëri-tjetrin, pasi nuk ishim prezantuar”, rrëfeu ajo.
Momenti më dramatik ishte kur ajo u përball me trupin e së bijës në spital. Nëna tha se ishte në shtëpi kur u njoftua dhe u kërkua të shkonte menjëherë në spital, pa i dhënë shpjegime. Ajo tha se fillimisht mendoi se bëhej fjalë për një rast që po trajtonte.
Sipas saj, me të mbërritur në spital, u përball me atmosferë të rëndë dhe fytyra të ngrira të kolegëve, ndërsa para se t’i jepej lajmi i rëndë, iu administrua qetësues.
“Kur mbërrita, pashë shikime të ngrira dhe ndjeva se diçka e rëndë kishte ndodhur. Para se të më thoshin gjë, më dhanë qetësues. U luta te mjekët që të bënin gjithçka për të shpëtuar fëmijën tim, madje u thashë të merrnin zemrën time dhe t’ia jepnin asaj. E vetmja gjë që kujtoj është se vrapova drejt saj. Nuk doja ta besoja që fëmija im kishte ndërruar jetë”, rrëfeu ajo.









