Dogana e Shtutgartit konfiskon 250 kg suxhuk në autobusin që vinte nga Kosova

Dogana në Shtutgart ka sekuestruar të dielën mbi 250 kilogramë suxhuk dhe produkte të tjera mishi, të cilat ishin futur ilegalisht në një autobus udhëtimi që vinte nga Kosova.

Sipas njoftimit të Doganës së Stuttgartit, autobusi është përzgjedhur enkas për kontroll në terminalin e autobusëve te aeroporti i Stuttgartit.

Dyshimet janë ngritur shpejt pasi nga disa çanta në hapësirën e bagazheve po përhapej një erë e fortë, ndërsa gjatë kontrollit zyrtarët kanë gjetur gjithsej 252.8 kilogramë produkte mishi që nuk lejohen të futen në Gjermani, njofton SWR.

Përveç mishit, doganierët kanë zbuluar edhe 700 pako cigare kontrabandë, si dhe mallra të tjera që dyshohet se po futeshin në Bashkimin Evropian pa deklarimin e nevojshëm doganor: katër dritare alumini me grila me vlerë rreth 720 euro, një kuzhinë me vlerë rreth 400 euro dhe një klimë.

Në autobus është gjetur edhe një këlysh qeni, pesë muajsh, i racës Maltipoo (kryqëzim mes pudelit dhe maltezit), me vlerë mbi 2 mijë euro.


Dogana thotë se ekziston dyshimi për import komercial, ndërsa për shkak se këlyshi dyshohet se nuk i kishte të gjitha vaksinat e nevojshme, ai është dërguar në një strehimore kafshësh në karantinë.

Autoritetet kanë nisur procedura penale tatimore ndaj dy shoferëve të autobusit dhe një personi që po priste marrjen e mallit në stacion, nën dyshimin për kontrabandë gjatë importit. Po ashtu, shoferët pritet të përballen edhe me gjobë nga autoritetet e qarkut Esslingen për futje të paautorizuar të produkteve të mishit.

Dogana ka theksuar se rregullat e rrepta veterinare për importin e produkteve shtazore synojnë të parandalojnë futjen e sëmundjeve të kafshëve nga shtetet jashtë BE-së. Sipas Doganës Kryesore të Stutgartit, gjatë vitit të kaluar janë kapur dhe asgjësuar gjithsej rreth katër ton ushqime që nuk lejohen të futen në vend.

/GazetaKosova/

- MARKETING - Brusnik (Vushtrri)spot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - spot_imgspot_img

Te Veqanta

Social Media

- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING - Vipa Chipsspot_img

Lajmet e Fundit