“Vetmi me eskortë dhe qëndresë në bankë” – Kimete Berisha publikon “notat” për Osmanin dhe Kurtin

Publicistja Kimete Berisha ka publikuar një shkrim satirik në Facebook, ku përmes formës së “librezës së notave” ka ironizuar presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti, duke i trajtuar si dy figura politike të vendosura në situata të ndryshme vetmie politike.

Në tekstin e saj, Berisha përdor nota simbolike për “popullaritetin”, “marrëdhëniet me aleatët”, “vetminë politike”, “qëndresën”, “kompromisin” dhe raportet me klasën politike, duke goditur me ironi të dy figurat kryesore të skenës politike.

Shkrimi, i ndërtuar në stil satirik dhe me gjuhë thumbuese, vjen në kohën kur debati politik për raportet mes institucioneve dhe bllokadën politike vazhdon të jetë në qendër të vëmendjes.

Postimi i plotë i Kimete Berishës:

Vetmi me eskortë dhe qëndresë në bankë

(Libreza e notave, sipas meje)

1. Vjosa Osmani

(viti shkollor: vetmi me eskortë)

Lënda: Popullaritet

Nota: në rënie

Ka pasur fillim premtues.

Më vonë, u vërtetua se duartrokitjet

ishin të huazuara.

Lënda: Mirësjellje me kalimtarë

Nota: 5

Përshëndet me zell.

Buzëqesh me disiplinë.

Fotografohet me të gjithë.

Edhe me njerëz që s’i njeh,

arrin të përqafohet

me përmallim.

Lënda: Marrëdhënie me aleatët

Nota: 1

Shokët e klasës

nuk e ftojnë më në grup.

Detyrat e përbashkëta kanë dështuar.

Lënda: Vetmi politike

Nota: 5+

Punon e vetme.

Nuk bashkëpunon.

Ka arritur rezultate të larta

në izolim institucional.

Lënda: Ndërtimtari

Nota: e shkëlqyer

Dallohet për aftësi të veçanta

në sektorin rezidencial.

Ka ndjekur nga afër

zhvillimet në terren.

Lënda: Amvisëri

Nota: 5 me yll

E vetmja në klasë

që i ka dy shtëpi

në lagjen e milionerëve.

Lënda: Aftësi për t’u dukur e sinqertë

Nota: 5

Bindëse.

Në raste të caktuara,

edhe publiku bindet.

Lënda: Shpërthime emocionale

Nota: 4

Reagon shpejt.

Mban ton të lartë.

Askush nuk e ka parë duke qarë.

Lënda: Përgjegjësi institucionale

Nota: në rishqyrtim

Komisioni e kërkoi.

Ajo ishte në një takim simbolik

me qytetarë të rastit,

duke e bërë shqiponjën me gishta,

dukshëm më saktë se Ilir Meta.

Lënda: Hakmarrje të shpejta

Nota: 5

Kap materien me shpejtësi.

Nuk humb kohë në teori.

Lënda: Telefonata

Nota: 1

E mban telefonin

më afër se këmishën.

Në gjendje gatishmërie,

pret një lajm

që nuk vjen.

Kur bie zilja,

shpesh raportohet

udhëtim qiellor.

Vërejtje e klasës:

Nxënësja ka aftësi të mira

për paraqitje publike,

por vuan nga mungesa

e dëshmitarëve të sinqertë.

Nënshkrimi i kujdestares së klasës:

Populli, përkohësisht.

Vërejtje:

Ka rrezik

që pasi ta ndjekë mësimin,

ta blejë shkollën.

2. Albin Kurti

(viti shkollor: i vetëm kundër të gjithëve)

Lënda: Durim

Nota: 5+

E ka ushtruar

në kushte laboratorike.

Ka qëndruar ulur

mes zhurmës kombëtare

pa e lëshuar bankën.

Lënda: Marrëdhënie me shokët e klasës

Nota: 1

Klasa është bashkuar kundër tij.

Fenomen i rrallë pedagogjik.

Lënda: Qëndresë

Nota: 5

Refuzon të dalë nga klasa

edhe kur i fikin dritat.

Lënda: Komunikim me ndërkombëtarët

Nota: e paqëndrueshme

Ndonjëherë flet

si nxënës shembullor.

Ndonjëherë

si mësues pa kontratë.

Lënda: Kokëfortësi

Nota: 5+

Shquhet në nivel kombëtar.

Komisioni u lodh.

Nxënësi jo.

Lënda: Vetmi politike

Nota: 5

Operon i vetëm.

Është i specializuar

në përballimin e vetmisë.

E krijon vetminë nga hiçi

dhe ka aftësi

ta shtrijë vetminë

prej këtu e deri në amshim.

Lënda: Amvisëri

Nota: mungon

Prej krejt klasës,

veç ky

s’ka shtëpi.

Lënda: Qëndrim në bankë

Nota: 5

Nuk çohet.

Edhe kur të gjithë bërtasin.

Sidomos atëherë.

Lënda: Marrëdhënie me mediat

Nota: konfliktuale

Të dyja palët pretendojnë

se po edukojnë njëra-tjetrën.

Lënda: Aftësi për t’u bërë fajtor universal

Nota: 5+

Shkëlqen pa përpjekje.

Përdoret

për çdo ushtrim kolektiv.

Edhe kur mungon.

Lënda: Kompromis

Nota: mungon

Arsyeja e mungesës:

parimore.

Vërejtje e klasës:

Nxënësi ka zgjedhur

të jetë i vetmuar,

ose klasa ka zgjedhur

ta lërë vetëm –

komisioni ende debaton.

Nënshkrimi i kujdestares së klasës:

Historia, me dorë të dridhur.

Vërejtje shtesë:

Klasa u bashkua kundër nxënësit,

sepse kur të gjithë

iknin nga mësimi,

ky rrinte në klasë.

P.S.

A thua

pse më vrau…

AUTOKRITIKË:

Ka dyshime të bazuara

se autorja

po hakmerret,

nuk po korrigjon.

/GazetaKosova/

- MARKETING - Brusnik (Vushtrri)spot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - spot_imgspot_img

Te Veqanta

Social Media

- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING - Vipa Chipsspot_img

Lajmet e Fundit