Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka bërë të ditur se tashmë ekziston një pajtueshmëri mes kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku dhe ish-presidentes Vjosa Osmani, për t’u bashkuar në një front të përbashkët zgjedhor.
Haziri konfirmoi se dy liderët janë duke mbajtur një takim të enjten, ku po diskutohen detajet e fundit të bashkëpunimit. Sipas tij, ky nuk është takimi i parë mes tyre dhe qëllimi mbetet i qartë: bashkimi i të djathtës.
“Mund të konstatoj se pajtueshmëria për një garë ekziston tashmë, për modalitetin dhe formën do të bëhet me dije pasi të arrihet pajtueshmëri e plotë”, deklaroi Haziri.
Ai u tregua i kujdesshëm kur u pyet nëse kjo nënkupton një rikthim formal të Vjosa Osmanit në strukturat e partisë nga e cila u largua vite më parë.
Haziri tha se këto janë “çështje që po diskutohen” dhe se detajet do të bëhen publike nga vetë protagonistët, Abdixhiku dhe Osmani.
Zgjedhjet e parakohshme në Kosovë janë caktuar të mbahen më 7 qershor.









