Një ngjarje e rëndë ka ndodhur sot në fshatin Meqë të Gjakovës, ku një punëtor ka humbur jetën tragjikisht gjatë procesit të punës.
Lidhur me rastin ka folur zëdhënësja e Policisë për rajonin e Gjakovës, Vlera Krasniqi, e cila bëri të ditur se rreth orës 09:55 kanë pranuar informatën për incidentin.
Sipas saj, bazuar në hetimet fillestare, dyshohet se shoferi i një kamioni ka humbur kontrollin mbi mjetin transportues, me ç’rast kamioni ka rrëshqitur.
“Si pasojë e kësaj lëvizjeje, një punëtor (mashkull i moshës madhore), i cili ndodhej në afërsi të mjetit, ka mbetur i bllokuar nën të”, deklaroi Krasniqi.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë menjëherë njësitë relevante të Policisë, zjarrfikësit dhe ekipi i emergjencës, të cilët kanë intervenuar për nxjerrjen e viktimës.
Megjithatë, pavarësisht përpjekjeve, mjeku përgjegjës ka konstatuar vdekjen e tij në vendin e ngjarjes.
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se po ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për të sqaruar rrethanat e plota të këtij rasti tragjik.









