Hileqarët

Shkruan: Kimete Berisha

(Shtatë hile – një trimëri)

1. Lumir Abdixhiku – hileqar qesharak

Në politikë,

asnjë organ nuk e përdor,

përveç buçkës.

E nuhat ushqimin, e nuhat prenë dhe e grabit.

Jo si kafshët, pa tingull.

Ky e nuhat, e grabit dhe e përshkruan kënaqësinë e shijimit.

Tregton me bindje, tregton me ndjenja.

Por pazari në aksham.

Dje, për LDK-në,

komshikja e lagjes së tij luksoze,

Vjosa Osmani,

ishte “notere” e Albin Kurtit dhe “e keqja më e madhe e LDK-së”.

Sot është “nonna”.

E “nonna” gjithmonë vjen me kamzhik.

– Gjykim:

Nuk kishte vota ta propozonte kandidatin e tij për President,

por hidhërohej me Albin Kurtin

që nuk ia zgjodhi Presidentin e tij,

që as vetë s’e dinte kush është.

2. Bedri Hamza – hileqar normal

E udhëheq partinë e luftës,

por vetë s’ka luftuar.

Prandaj, sa herë ka probleme të mëdha,

flasin gratë.

PDK e ka presidentin e vet.

Mendojnë se ai do të lirohet nga burgu

dhe pastaj do t’i fitojnë zgjedhjet.

Kjo është hile.

Por hile normale.

Jo hile e rrezikshme.

– Gjykim:

Dashuria e votuesve

nuk rritet pasi Hashim Thaçi të dalë nga burgu.

Do të duhej të rritej

gjatë kohës që është në burg.

Sepse liria

nuk e shton dashurinë,

por ia humb rrugën.

Prandaj, pyetja është:

ku janë votuesit

që e duan Hashim Thaçin,

por po e mbajnë fshehur atë dashuri?

3. Feridja – hileqare e dhembshurisë

Feridja foli mirë për veten.

Tha për veten:

“Unë, e cila jam shumë e zonja.”

Albini e quante doktoreshë.

Të cilit organ – nuk dihet.

Doktoreshë e rrëfimit?

E shpirtit?

Jo.

Ajo është paguar shtrenjtë për punën e saj.

Nuk ka punuar për riza t’Zotit.

Dhe asnjë viktimë e dhunës seksuale

nuk ka gjetur drejtësi.

Puna e saj ka qenë:

viktimat të pajtohen me fatin e tyre,

por jo ta kërkojnë drejtësinë.

Asnjë viktimë e dhunës seksuale

nuk ka gjetur drejtësi,

por vetëm mëshirë.

Mëshira të nervozon.

Drejtësia të çliron.

E Feridja le të vazhdojë:

“Unë…”

“E cila kam qarë në WC për Kosovën.”

– Gjykim:

A e dini ju

se ka pasur rivalitet edhe në viktima?

“Jo – m’i mori Vjosa viktimat.

Më duhen disa të reja…”

Por askush.

s’mund të ma nxjerr gjuhën.

(shpresoj.)

Do ta ruaj elegancën.

Dhe, ashtu siç më ka porositur Mifta (babai),

kurrë s’do të them çdo gjë që di,

e as s’do të bëj çdo gjë që mundem.

4. Ramush Haradinaj – hileqar me patika

Duket sikur i ka thënë të gjitha fjalët

dhe ka arritur në atë fazën

ku, çfarëdo që të thotë,

s’është më me rëndësi.

Është i pari që e ka “diagnostifikuar”

Albin Kurtin si “mashtrues”,

pasi një fshatar gjerman i ka treguar

se kur e përsërit të njëjtën rrenë,

njerëzit fillojnë ta besojnë.

Është e dhimbshme

se pse e përsërit veten në zgjedhje kaq shpesh,

por njerëzit nuk e besojnë.

– Gjykim:

Janë harxhuar gjykimet.

5. Vjosa Osmani – hileqare popullore

Unë do ta themeloja një shkollë

ku do ta ligjëroja lëndën:

“Osman-ishtja”

Vjosa Osmani

i njeh njerëzit e poshtër

dhe i shfrytëzon pa mëshirë.

Në këtë aspekt

e ka përkrahjen time të plotë.

Lëndë e veçantë mësimore duhet të jetë, sidomos,

vetëbesimi i saj,

që është i mahnitshëm.

Veç parakalimi i saj

mund të jetë lëndë zgjedhore.

Ajo nuk ka nevojë

të jetë e mirë,

që të besojë

se është e mirë.

– Gjykim:

Ka aftësi të jashtëzakonshme manipulimi.

Dobësitë:

prirje folklorike.

6. Albin Kurti – hileqar meritor

(Nderi i kombit)

Jo vetëm që di të bëjë hile,

por është edhe kreativ në këtë lëmi.

Hileja tek Albin Kurti

është e mbështjellë me zjarr,

si bërthama e tokës:

e nxehtë,

e fshehur

dhe e rrezikshme –

aq e nxehtë,

sa e mbron veten edhe nga dielli.

Për t’ia parë hilen nga afër,

duhet të digjesh më parë.

E nuk bën të digjesh,

pa nevojë.

Se:

Albin Kurti lufton fort.

Dhe është i armatosur rëndë.

Edhe me stil monumental,

edhe me alegori kadareane:

ura, mjegulla, Ballkani, kombi, pushteti, historia, guri, legjenda…

dhe pak magji të zezë.

Pasi që është fitues i zgjedhjeve,

hilet e tij mund të duken

me bazë humanitare.

“Eja, Lumir milioneri,

qe unë, Albin fukaraja,

t’i jap votat për kandidatin tënd për President.”

Por:

“nuk mund të ndërhyj

në votat e deputetëve të mi,

sepse do të ishte diktaturë pastaj.”

Pra,

edhe e thotë të vërtetën,

edhe… luan.

Fatmirësisht:

Politika i duron këto hile.

Nuk ka nevojë të jesh i ndershëm

me kundërshtarin.

Prandaj,

hileqar se hileqar,

duhet të jesh hileqari më i madh –

jo hileqar qesharak

si ai Lumiri.

– Gjykim:

Unë e njoh mekanizmin e tij.

Mënyrën

se si lë pezull…

Por nuk e zbuloj,

sepse më pëlqen loja.

7. Hileqari më enigmatik

është ai që të lë të mendosh se e ke kuptuar…

pikërisht kur s’e ke kuptuar hiç.

– Gjykim:

S’kam prova.

P.S.

Në politikë,

hileja nuk është problem.

Problem është

kur e bën keq.

AUTOKRITIKË:

Autorja?

Po e njeh hilen

apo po e admiron?

/GazetaKosova/

- MARKETING - Brusnik (Vushtrri)spot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - spot_imgspot_img

Te Veqanta

Social Media

- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING - Vipa Chipsspot_img

Lajmet e Fundit