Në një proces gjyqësor që pritet të ketë ndikim të madh në të ardhmen e inteligjencës artificiale, miliarderi Elon Musk ka dëshmuar të martën kundër kompanisë OpenAI, duke e cilësuar padinë e tij si përpjekje për të mbrojtur parimet e bamirësisë.
Musk, një nga themeluesit e hershëm të OpenAI, akuzon kompaninë dhe drejtuesit e saj, Sam Altman dhe Greg Brockman, se kanë tradhtuar misionin fillestar të organizatës për zhvillimin e inteligjencës artificiale në shërbim të njerëzimit, duke e kthyer atë në një strukturë të orientuar drejt fitimit.
“Nëse bëhet normale grabitja e një organizate bamirëse, atëherë shembet themeli i dhurimeve në Amerikë”, ka deklaruar Musk në ditën e parë të gjyqit.
Ai e ka përshkruar OpenAI si “krijimin e tij”, duke pretenduar se ka ideuar konceptin, emrin, ka rekrutuar ekipin fillestar dhe ka siguruar fondet e para.
Sipas tij, organizata ishte menduar që në fillim si një entitet jofitimprurës.
Avokatët e OpenAI i kanë hedhur poshtë këto pretendime. Në deklaratën hapëse, përfaqësuesi ligjor i kompanisë ka argumentuar se vetë Musk kishte shtyrë për transformimin e OpenAI në një biznes fitimprurës dhe kishte kërkuar të merrte drejtimin si drejtor ekzekutiv.
Sipas tyre, padia është bërë vetëm pasi ai nuk arriti të realizonte këtë synim, ndërsa më pas themeloi kompaninë e tij të inteligjencës artificiale, xAI.
Çështja përfshin edhe investime të mëdha nga kompani si Microsoft, e cila ka dhënë miliarda dollarë në OpenAI për zhvillimin teknologjik dhe konkurrencën me rivalë si Google.
Musk kërkon 150 miliardë dollarë dëmshpërblim, të cilat sipas tij duhet të rikthehen në funksion të misionit bamirës të OpenAI. Ai gjithashtu kërkon rikthimin e kompanisë në status jofitimprurës dhe largimin e drejtuesve aktualë nga pozitat e tyre.









