Vetëm pak çaste para skadimit të afatit ligjor për zgjedhjen e Presidentit, i cili mund të sjellë edhe rënien e qeverisë “Kurti 3”, kryeministri Kurti ka lëshuar akuza të rënda drejt partive opozitare.
Ai tha se opozita nuk po e respekton vullnetin e qytetarëve dhe po e çon vendin drejt zgjedhjeve të reja.
Kurti ka thënë se opozita është e vetëdijshme që zgjedhjet nuk janë zgjidhje dhe ka shprehur optimizëm se mbështetja e qytetarëve për Lëvizjen Vetëvendosje do të vazhdojë të rritet.
“Ata janë të vetëdijshëm që zgjedhjet nuk janë zgjidhje. Ata nuk duan përgjegjësi, nuk duan pushtet por dëshirojnë që këtë të mos e kemi as ne. Veçse për këtë nuk vendosin ata por populli i Kosovës i cili gjithmonë e më shumë na ka mbështetur neve në përputhje me realizimin e zotimeve tona dhe përmirësimin e situatës së tij edhe në aspektin socio-ekonomik edhe në atë të sigurisë. Pas një qeverisje 5-vjeçare është rritur mbështetja për neve. Çdo herë kështu do të jetë. Ne do të jemi afër popullit t’i shërbejmë me aq sa dijmë e mundemi dhe mbështetja për ne vetëm sa do të rritet”, ka thënë Kurti.
Opozita nuk mori pjesë as në këtë seancë.









