Deputetja e Kuvendit të Kosovës, Albena Reshitaj, ka deklaruar se ish-presidentja Vjosa Osmani mund të jetë sërish pjesë e garës për zgjedhjen e presidentit të vendit.
Sipas Reshitajt, aktualisht në garë janë dy kandidate, ndërsa ajo ka përmendur edhe mundësinë që nga radhët e LDK-së të dalë një kandidaturë e re.
“LDK ka treguar nënshkrimet dhe ka thënë që është e gatshme për të qenë pjesë e zgjedhjes së presidentit dhe të vijnë në sallë. Tashmë i kemi dy kandidate për presidente. Gjithashtu kam dëgjuar që nga LDK është e mundur të jetë kandidate ish-presidentja Vjosa Osmani”, ka thënë Reshitaj.
Ajo ka theksuar se pret reflektim nga partitë opozitare që të marrin pjesë në proces dhe të kontribuojnë në zgjedhjen e presidentit, duke e konsideruar këtë si një hap të rëndësishëm institucional për vendin.









