Ervin Mata, i cili ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, u arrestua në Brazil. 39-vjeçari akuzohet për drejtimin e një rrjeti ndërkombëtar të trafikut të drogës dhe për trafikimin e kokainës nga Amerika Latine në Europë. Ai fshihej në Brazil, duke përdorur dokumente identifikimi angleze të falsifikuara.
Kush është Ervin Mata?
Ervin Mata njihet si pronari i një prej hoteleve që ndodhet në “Rrugën e Dibrës”, në Tiranë, hotel i cili në fakt rezulton i regjistruar në emër të babait të tij. Ky i fundit ka në pronësi edhe një kompani që merret me konstruktime metalike.
Në vitin 2023 Mata u shpall në kërkim si pjesë e grupit kriminal prej 11 personash. Ky grup kriminal dyshohet për trafikimin e tonelatave me kokainë nga Amerika Latine drejt Europës.
-Lidhja me Elvana Gjatën
Këngëtarja shqiptare Elvana Gjata bëri të ditur për publikun se ishte fejuar me një biznesmen nga Tirana në vitin 2017. Gjithçka ndodhi në një ceremoni intime, ku dyshja zyrtarizuan lidhjen e tyre, atëkohë 2-vjeçare, pasi njiheshin që në vitin 2015. Por këngëtarja nuk e zbuloi kurrë identitetin e tij, deri në mbrëmjen e 4 tetorit, kur ndodhi edhe vrasja në zonën e ish-Bllokut.
Mata përflitej se ishte një biznesmen i fuqishëm që mbulonte të gjitha shpenzimet e këngëtares. Në kohën e fejesës, Gjata u largua drejt Amerikës ku realizoi edhe disa projekte muzikore dhe nuk nguronte të reklamonte në rrjetet sociale jetën luksoze që bënte, duke nisur që nga helikopteri privat, makinat e fundit dhe udhëtime të shumta.
Përflitet se edhe biznesin e fustaneve të nusërisë, Elvana e ngriti me ndihmën e Matës, të dashurit të saj, por më vonë e shiti. Para se të shpallte fejesën me Ervinin, Elvana kishte patur një kapitull shumë të gjatë me prodhime muzikore dhe një lidhje dashurie me Flori Mumajesin, të cilën nuk e pranoi asnjëri prej tyre. Por pas përfundimit të kësaj periudhe, këngëtarja nisi të ishte më e pavarur, duke realizuar projekte e vetme. Gjithsesi, zërat që qarkullonin shpreheshin se gjithçka në karrierën e Gjatës investohej nga i dashuri i saj biznesmen.
Pas vrasjes në ish-Bllok, Elvana Gjata ‘u zhduk’ nga rrjetet sociale për një periudhë prej 4 muajsh. Ajo nuk postoi asgjë, pasi më datë 5 tetor profilet e saj në rrjetet sociale u ‘bombarduan’ me komente denigruese që e akuzonin se ishte lidhur me një trafikant droge. Sipas ndjekësve të saj në rrjetet sociale, Elvana tashmë kishte zbuluar se nga i vinin të ardhurat për jetën luksoze që bënte. Kjo gjë bëri që këngëtarja shqiptare të humbiste mijëra ndjekës në Instagram. Megjithatë, lidhja e saj me Matën vazhdoi.
Më 20 nëntor 2023, emri i këngëtares Elvana Gjata do të dilte te bisedat “SKY”, me rolin e pritjes dhe pastrimit të 500 mijë eurove që i dërgoi i fejuari i saj trafikant, Ervin Mata, dhe financimin e tyre në hidrocentralin e Erzen Breçanit. Por sipas hetimit të BKH, rezulton se ai ka transferuar afro 10 milionë euro në 5 vitet e fundit. SPAK nuk e arrestoi Elvana Gjatën, madje njoftoi se ndaj saj kishte nisur hetim pasuror, por ky hetim e ka nxjerrë sikur i ka pasuritë të ligjshme, kur trafikanti Ervin Mata i ka blerë vilë, dyqan veshjesh, qendër masazhesh, apartamente, makina etj.
Si provë krimi për të arrestuar, mjaftojnë dy fakte: Në kullën tek ish-ekspozita, Elvana Gjata figuron 25% financuese, por në fakt janë milionat e drogës së trafikantit Ervin Mata; ndërsa po Ervin Mata i dhuroi dyqan nusesh në Tiranë, të cilin, pas 3 muajsh ajo ia shiti fiktivisht 1.2 milionë euro Drilona Boçit, të trafikantit Kristian Boçi.
-Përplasja me Vis Martinajn
Emri i Ervin Matës, i arrestuar ditën e sotme në Brazil, u lakua publikisht për herë të parë mbrëmjen e 4 tetorit 2018, për masakrën e ndodhur në ish-Bllok. Konflikti ndodhi në kushtet kur në lokal ishin Ervis Martinaj dhe Eljon Hate dhe 2 persona të tjerë të paidentifikuar, ndërsa diku më larg Ervin Mata, e dashura e tij Elvana Gjata, Fabio Alushi, Meviol Billo si dhe 2 të tjerë ende të paidentifikuar. Rreth orës 21:30 në lokal shkoi Fabian Gaxha, truproja i Ervis Martinajt. Sapo e pa Matën, i kërkoi të sqarohen për një ngacmim që i kishte bërë të dashurës së tij, këngëtares Elvana Gjata dhe një vajze tjetër të showbizit.Duke parë tensionin, pronari i lokalit Redi Popesku i kërkoi Elvanës të largohej. Sherri nisi kur Fabiani u afrua dhe Mata e goditi disa herë me grusht, duke e ulur në tokë.
Më pas në ndihmë të Fabianit erdhën Ervis Martinaj dhe Eljon Hate. Ky ishte momenti kur nisi shkëmbimi i zjarrit mes palëve dhe çasti kur Meviol Bilo, një ekspert i armëve të zjarrit, qëlloi mbi grupin rival duke vrarë Fabian Gaxhan dhe duke plagosur Ervis Martinajn dhe Eljon Haten. Mata u dorëzua në Komisariatin e Policisë, 5 muaj pasi ishte shpallur në kërkim për këtë ngjarje.
Kur u pyet, ai tha se nuk kishte qëlluar dhe as nuk kishte parë se kush qëlloi në drejtim të viktimës. Ai shtoi se ishte larguar nga frika. Vetëm dy ditë pas vetëdorëzimit, Gjykata e la me detyrim për t’u paraqitur dy herë në muaj në Prokurori, e cila kishte kërkuar ndaj tij arrest me burg. Mbi Matën u ngritën akuzat e vrasjes së mbetur në tentativë dhe armëmbajtje pa leje.









